Ballina Ekonomia Rama thotë se do të zhdukë cash-in, por Shqipëria përmbytet nga paraja...

Rama thotë se do të zhdukë cash-in, por Shqipëria përmbytet nga paraja jashtë bankave

24
0

Teksa kryeministri deklaron publikisht se do të zhdukë qarkullimin e parasë cash në ekonominë shqiptare brenda 5 viteve të ardhshme, në realitet po ndodh absolutisht e kundërta. Statistikat zyrtare dëshmojnë se paraja cash po përmbyt ekonominë shqiptare me ritmet më të shpejta të shënuara ndonjëherë në histori.

Të dhënat e raportuara nga Banka e Shqipërisë tregojnë se paraja jashtë bankave u rrit me 60 miliardë lekë ose rreth 620 milionë euro në harkun kohor të një viti duke arritur një rekord të ri historik.

Sot në ekonominë shqiptare qarkullojnë plot 463.6 miliardë lekë para cash që përdoret në transaksionet e përditshme, nga 403 miliardë lekë që ishte shifra në të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Rama thotë se do të zhdukë cash-in, por Shqipëria

Por ky është vetëm deti i parasë fizike në monedhën kombëtare. Paralelisht në Shqipëri qarkullojnë edhe tonelata me euro jashtë bankave, por sasia totale e tyre nuk matet nga Banka e Shqipërisë.

Megjithatë, nëse supozohet se raporti lek/euro që qarkullon jashtë bankave është i njëjtë me raportin lek/euro në depozitat bankare atëherë mund të supozohet se shifra e eurove që qarkullojnë jashtë bankave është minimalisht e barabartë më atë të lekut. Sot shqiptarët kanë rreth 1437 miliardë lekë depozita në sistemin bankar nga të cilat 47 për qind mbahen në monedhën lek dhe 53 për qind në monedhën euro.

Kjo do ta çonte totalin e parasë fizike që qarkullon cash në ekonominë shqiptare në rreth 930 miliardë lekë ose gati 9.5 miliardë euro. Kjo është 30 për qind më shumë se sa buxheti vjetor i shtetit./kapitali