Qytetarët e Maqedonisë së Veriut shumë shpejt mund të udhëtojnë për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës vetëm me pasaportë, pa pasur nevojë për një vizë.
Kështu raporton Radio Evropa e Lirë, që thekson se kjo është një nga çështjet që Qeveria e Shkupit e ka hapur me administratën amerikane. Heqja e vizave do të ishte një nga përfitimet e Dialogut Strategjik, të cilin të dyja vendet e filluan në qershor të vitit 2022.
Radio Evropa e Lirë shkruan se ky dialog shihet si një kornizë institucionale për një nivel më të lartë të raporteve mes dyja vendeve, që ofron masa konkrete për bashkëpunim më të thellë në fusha të ndryshme.
Sa i përket heqjes së vizave, institucionet maqedonase janë të përfshira në grupet ndërsektoriale të punës për aderim në Programin për Heqjen e Vizave dhe në Programin Global për Hyrje në SHBA, thanë nga Ministria e Jashtme e Maqedonisë së Veriut për Radio Evropa e Lirë.
Këtë privilegj në Europë e kanë pak vende, si Kroacia, Gjermania, Britania e Madhe, Zvicra dhe Holanda.