Ballina Aktualitet Tallava-qeveria/ Një Ulsi dhe një Petrit barazojnë tarifat përmbarimore të shtetit me...

Tallava-qeveria/ Një Ulsi dhe një Petrit barazojnë tarifat përmbarimore të shtetit me privatin

11
0

Kapitali

Dy udhëzime tinëzare të ministrit të Financave, Petrit Malaj, dhe ish ministrit të Drejtësisë, Ulsi Manja, të firmosur fshehtas dhe pa bujë në Korrik, u kanë bërë shqiptarëve një peshqesh të hidhur; barazimin e tarifave të shërbimit përmbarimor shtetëror me ato të privatit.

Dy udhëzimet dolën në dritë një ditë më parë, kur u botuan në Fletoren Zyrtare. I pari ndryshon tarifat fikse, ndërsa i dyti tarifat e “suksesit” që përmbaruesit e shtetit duhet t’u ngarkojnë kreditorëve për shërbimet e tyre.

Në pamje të parë dy udhëzimet duken si akte normale. Por kur i sheh më mirë, edhe rreshtat e udhëzimeve edhe shifrat e tyre, ata thonë shumë: të dy udhëzimet janë identike me ato që qeveria “Rama” me ministrat Gjonaj dhe Ahmetaj miratoi në vitin 2018, për shërbimin e përmbarimit gjyqësor privat.

Tarifat e shtetit

 

          Tarifat e privatit

U bë zhurmë e madhe në atë kohë dhe vite më pas, sepse përmbaruesit privatë refuzuan të ulej niveli i “tarifave” të tyre pothuajse aq sa i kishin ata të shtetit. Gjithsesi, kishte një diferencë të vogël, përmbaruesit shtetërorë i kishin tarifat më të ulëta se ata privatë.

Çfarë do të thotë kjo?

Një kreditor, njeri pa kompani, apo një kompani me dhjetëra punëtorë, qoftë edhe bankë, nga viti 2018 kishte dy alternativa; njërën të zgjidhte përmbarimin privat me një tarifë X ose atë shtetëror me tarifë Y, kjo e dyta më e ulët se e para.

Pra, kreditorët (populli) mund të zgjidhnin përmbarimin shtetëror me tarifën më të ulët se tarifat e përmbarimit privat. Por çfarë ndodhi nga viti 2018 deri në korrik të këtij viti, kur dolën udhëzimet e reja që i barazuan tarifat përmbarimore të shtetit me ato të privatit?

Sipas burimeve të Ministrisë së Financave, asnjë prurje buxhetore nuk ka ardhur në buxhetin e shtetit në 6 vitet e fundit nga shërbimi përmbarimor shtetëror, edhe pse tarifat e shtetit ishin më të ulëta.

Atëherë, pse u rritën tarifat e përmbarimit shtetëror? Për të rritur prurjet buxhetore apo për të ndihmuar “afrimin” e kreditorëve në këtë kategori shërbimi? Kreditorët, nëse nuk u afruan në 6 vite me një tarifë më të ulët, si do vijnë me një tarifë më të lartë?

Një burim i Drejtorisë së Përgjithshme të Përmbarimit të shtetit shprehet se “ministrat Manja dhe Malaj i barazuan tarifat e përmbarimit shtetëror me atë privat, për arsye konkurrence të barabartë mes dy shërbimeve, shtetëror dhe privat”.

Kur u pyetën përfaqësues të shërbimit përmbarimor privat për këtë ndryshim, ata nuk pranuan të shprehen pa dëgjuar më parë shpjegimin “shtetëror” për këtë ndryshim “barazues” të tarifave që do japë “Ministri Petrit Malaj, si financier me eksperiencë të gjatë në këto çështje..”.

Ajo që të bën përshtypje, është heshtja e dy ministrave bashkëfirmosës të udhëzimeve, ish ministrit Manja dhe ministrit Malaj në lidhje me këtë ndryshim veror. Asnjë prononcim nga stafet e tyre, asnjë e dhënë pse u bë ky ndryshim, përveç shfaqjes në Fletoren Zyrtare të dy udhëzimeve, që po t’i shohësh me vëmendje janë copy-paste me njëri-tjetrin, ashtu si kanë emrat vetë shërbimet, përmbarim gjyqësor, me të vetmin ndryshim: njëri privat e tjetri shtetëror.

Dy tabelat e tarifave që do përdorin dy shërbimet janë çuditërisht aq të njëjta sa të lind pyetja: Si kanë arritur në këto përfundime kaq saktësisht të barabarta indeksimi, specialistët e Ministrisë së Financave me ata të Ministrisë së Drejtësisë?

Nga hyrja në fuqi e udhëzimit të tarifave të shërbimit të përmbarimit shtetëror, të njëjta me ato të përmbarimit privat, kompanitë, bankat, individët nuk do kenë më asnjë interes të trokasin tek një zyrë përmbarimi shteti për ekzekutimin e një vendimi gjykate.

Pse do shkonin në njё zyrë të tillë, kur çmimi (tarifa) që do paguanin është i njëjtë, me të vetmin ndryshim, që zyra e shtetit qëndron hapur deri në orën 16:00 dhe të premten deri në 14:00, ndërsa një zyrë private nuk ka orar të përcaktuar për shkak të interesit privat.

Është njësoj sikur të barazoheshin çmimet e Universitetit Publik me ato të privatëve ose spitalit shtetëror Nënë Tereza, bie fjala, me ato të American 2, aty pranë. Ku do shkonin njerëzit dhe pacientët nëse çmimi i operacionit do ishte i njëjtë, pa asnjë ndryshim? Natyrisht, jo tek tek spitali i Ramës, që mahniti Evisin, të cilin Rama e solli nga Oksidenti për të mahnitur dynjanë me shëndetësinë shqiptare.

Tarifat e përmbarimit janë tregues i filozofisë qesharake që incentivon ekonominë e tregut në Shqipëri, që i jep “flatra” iniciativës apo shërbimit privat: Shërbimi që ofron rrogëtari i shtetit ka të njëjtën tarifë me shërbimin që ofron privati që subvencionon rrogën e tij. Dhe kjo nuk është gjë tjetër përveçse Tallava financiare në politikat shtetërore të qeverisë “Kape Evropën 2030”.