Gazetari francez Antoni Lallican është vrarë nga një dron në Ukrainë. Lajmin e bëjnë të ditur Federatat Ndërkombëtare dhe Europiane të Gazetarëve (IFJ-EFJ), të cilat shprehin ngushëllimet e tyre për familjen dhe të afërmit e Lallican.
Federatat kanë deklaruar gjithashtu se “dënojnë këtë krim lufte dhe kërkojnë nga autoritetet të nisin një hetim për identifikimin e përgjegjësve”. Ky është rasti i parë në Ukrainë ku një gazetar humb jetën nga një dron.
Ngjarja ndodhi të premten në mëngjes, rreth orës 09:20, ora lokale. Në të njëjtin sulm, një gazetar ukrainas, Heorgiy Ivanchenko, mbeti i plagosur. Të dy gazetarët mbanin pajisje mbrojtëse dhe jelekë anti-plumb me mbishkrimin “Press”.
Lallican, banues në Paris, ishte në Donbass për agjencinë e fotogazetarisë Hans Lucas, me seli në Carcassonne. Punimet e tij janë publikuar në shumë media ndërkombëtare, përfshirë Le Monde, Le Figaro, Libération, Mediapart, Der Spiegel, Zeit dhe Die Welt.