Ballina Opinion Arsimi profesional, nga i mesëm te i lartë, duhet të konsiderohet shtyllë...

Arsimi profesional, nga i mesëm te i lartë, duhet të konsiderohet shtyllë e zhvillimit kombëtar

6
0

Nga Mirela KARABINA

Arsimi profesional çdo vit shpallet si “prioritet” nga Qeveria shqiptare por ajo trajton vetëm arsimin e mesëm profesional të shkëputur nga nivelet e tjera të shkollimit dhe kualifikimit, pra, nuk e trajton si Sistem të Arsimit Profesional ku përfshihet arsimi i mesëm dhe i lartë profesional.

Madje dhe programi i ri qeverisës “Shqipëria 2030”, fatkeqësisht, trajton vetëm arsimin e mesëm profesional, ku premton rritje të numrit të nxënësve në 35% dhe konvikte më të mira për nxënësit.
Sot Shqipëria ka nevojë për një sistem të plotë formimi profesional nga niveli i mesëm deri te ai i lartë, me qëllim që të përgatisë jo vetëm mjeshtër e teknikë, por edhe inxhinierë, menaxherë dhe specialistë të fushave të aplikuara, të cilët ekonomia moderne i kërkon çdo ditë.

Aftësitë e të rinjve në arsimin profesional në Shqipëri pësuan rënie 20% në vitin 2024 në krahasim me 2023, duke shënuar rënien më të lartë të cilësisë në arsimin profesional, sipas Fondit Europian për Trajnimet (EFT) i cili mat indikatorët e performancës së zhvillimit profesional. Hendeku mes tregut të punës dhe arsimit profesional po thellohet duke krijuar boshllëqe në aftësi, që sipas ekspertëve, kjo do të sjellë një krizë afatgjatë në përgatitjen e të rinjve për tregun e punës. Ndryshe nga vende të tjera të Rajonit (Maqedoni e Veriut) Shqipëria po ndjek një trend negativ në këtë drejtim.(Monitor)

Rënia e numrit të nxënësve në shkolla të arsimit të mesëm profesional (14% e nxënësve e ndjekin) është dëshmi e mungesës së vizionit dhe perspektivës së zhvillimit të tij, e cila ka ndikuar në ndërtim të një perceptimi të dobët të shoqërisë ndaj arsimit profesional. Kështu, familjet shqiptare e shohin gjimnazin dhe universitetin si rrugë të vetme drejt suksesit për fëmijët ë tyre, ndërsa arsimin profesional si “rrugë pa dalje” dhe ku shkojnë nxënës me rezultate jo të mira.

Formalisht, Shqipëria e ka Sistemin e Arsimit Profesional: arsim i ulët, pas shkollës 9-vjeçare (2-vjeçar, niveli III i Kornizës Shqiptare të Kualifikimeve KSHK), të mesëm profesional (3 dhe 4-vjeçar, me Maturë profesionale, niveli IV i KSHK); program jouniversitar profesional pas arsimit të mesëm (niveli V i KSHK); bachelor me orientim profesional (niveli VI i KSHK); masteri profesional (nivel VII i KSHK).

Arsimi i lartë profesional 1 ose 2 vjeçar, edhe pse mbështetur në ligj (Ligji arsimit të lartë 80/2015, neni 72, Programet e studimit me karakter profesional, niveli V KSHK) ende sot ky nivel studimesh nuk është i përfshirë në Ligjin e Nëpunësit Civil, që përcakton edhe kriteret e kualifikimit për çdo profesion, por as në organigramën e vendeve të punës duke e lënë këtë diplomë të pavend dhe duke sjellë konfuzion për të diplomuarit.

Ministria e Arsimit që miraton vetë hapjen e programeve të reja të universiteteve apo dhe institucioneve të tjera është e paqartë dhe nuk merret me zgjidhjen e kësaj problematike, tashmë 10 vjeçare.

Në Europë, Gjermania, Zvicra e Austria, vende të cilat kanë ndër politikat më të emancipuara të formimit profesional duke ia përshtatur dhe zhvillimit të vrullshëm të transformimit digjital, universitetet e arsimit profesional janë motori i inovacionit dhe konkurrueshmërisë, duke lidhur drejtpërdrejt shkollën me industrinë dhe tregun e punës.

Shqipëria si vend që aderon familjen europiane nuk mund të mbetet prapa.

Aq më tepër kur emigracioni i të rinjve është në rritje pasi nuk kanë siguri dhe nuk shohin persektivë dhe e kërkojnë formimin e tyre profesional dhe punësimin jashtë Shqipërisë, trajtimi dhe zhvillimi i Sistemit të Arsimit Profesional që fillon nga arsimi 2-vjeçar pas arsimit të detyruar (niveli II i KSHK) e deri në studimet master profesional (nivelin VII të KSHK), duhet të jetë real dhe i vërtetë.

Kjo qasje do të siguronte jo vetëm të rinj profesionistë e të kualifikuar për tregun, por do të sillte dhe ulje të papunësisë.

Arsimi profesional është domosdoshmëri jetike për vendin. Ai ai krijon një urë lidhëse midis njohurive akademike dhe aftësive praktike të nevojshme në vendin e punës. Arsimi profesional përgatit individë me aftësi teknike e përvoja praktike të kërkuara për punë, rrit perspektivat e punës dhe konkurrueshmërinë, në një botë që ndryshon me shpejtësi (IA, transformimi dixhital, globalizimi) mban njerëzit të përditësuar dhe të aftë të përshtaten me standardet e reja të industrisë, formon profesionistë të kualifikuar që nxisin produktivitetin dhe zhvillimin në shoqëri gjithashtu u jep individëve pavarësi dhe besim në aftësitë e tyre.

Ndaj është koha që arsimi profesional në të gjitha nivelet, të mos shihet më si një rrugë dytësore dhe “pa dalje”, por si një shtyllë kryesore e zhvillimit kombëtar.