Ballina Politika Bamir Topi: PD ndodhet në një “pikiatë” të rrezikshme! Rama-Berisha kontrollojnë bashkë...

Bamir Topi: PD ndodhet në një “pikiatë” të rrezikshme! Rama-Berisha kontrollojnë bashkë sistemin politik

0
19

Një portret politik dhe sfidat e opozitës në kërkimin e kandidatit të saj për kryeqytetin. Ish-presidenti Bamir Topi analizon ngjarjet politike në prag të zgjedhjeve të pjesshme për Bashkinë Tiranë. Në analizën e tij, Topi thekson se gara për Tiranën nuk është vetëm një përballje elektorale, por edhe një betejë për të ringritur opozitën dhe për të testuar balancat e reja politike në vend.

Topi sugjeron kandidatin ideal për Tiranën, që jo domosdoshmërisht duhet të jetë një figurë e komunitetit “autokton”, por më shumë një qytetar profesionist, me një CV të pasur dhe të njohur për kontributin e tij në një fushë të caktuar. Sipas tij, nuk mund të futesh në garën për kryeqytetin pa qenë një person publik, i dëgjuar dhe i respektuar nga komuniteti. Një lidhje e fortë me Tiranën do të ishte një plus, por nuk është domosdoshmërisht kushti i vetëm që përcakton suksesin.

Në qendër të analizës së Topit është edhe marrëdhënia mes Edi Ramës dhe Erion Veliajt. Ai e lexon “çështjen Veliaj” si një konflikt politik të brendshëm, që sipas tij ka prodhuar një frakturë të thellë në kampin qeveritar. Fakti që pjesë e bashkëpunëtorëve të Ramës janë sot pas hekurave shihet nga ish-presidenti si një element që forcon narrativën e dështimit moral dhe institucional të maxhorancës. Kjo situatë do të duhej të kishte hapur terren të ri për opozitën. Por çfarë e pengon opozitën ta shfrytëzojë këtë terren?!

Sipas Topit, opozita ndodhet ende në kërkim të një “çlirimi” politik nga marrëveshja e hershme Rama–Berisha, të cilët, sipas tij, kontrollojnë bashkërisht sistemin politik shqiptar. Edhe si ish-drejtues i PD-së vite më parë, Bamir Topi paralajmëron se Partia Demokratike ndodhet në një “pikiatë” të rrezikshme, duke humbur terren jo vetëm përballë maxhorancës, por edhe në raport me qytetarët.

Në analizën e tij, Topi flet për aktorët dhe faktorët që mund ta riparojnë opozitën. Për të, zgjidhja nuk qëndron te rikthimi i figurave të konsumuar, por te personalitete të reja, të pastërta, me kredenciale profesionale dhe me lidhje organike me qytetin.

Ish-presidenti e sheh garën për Tiranën si një test që shkon përtej një beteje elektorale — një sfidë për opozitën për të dëshmuar se mund të ringrihet mbi krizat e brendshme, të përzgjedhë një figurë reale për qytetin dhe të rikthejë shpresën e publikut se politika mund të ofrojë alternativa të vërteta.