Dinamo vijon e sigurt rrugën drejt kreut të renditjes, duke mposhtur me rezultatin 2-0 Flamurtarin në stadiumin “Selman Stërmasi”. Kryeqytetasit treguan superioritet gjatë gjithë sfidës, ndërsa miqtë u dorëzuan herët pas ndëshkimit me karton të kuq të Veiga.
Pavarësisht rezistencës së vlonjatëve, “nëndetësja blu” zhbllokoi rezultatin me Guindo, ndërsa më pas Nani vulosi fitoren. Dinamo pati edhe raste të tjera të pastra, mes tyre një traversë e Bregut, që i mohoi shifrën e tretë.
Flamurtari vijon rënien e lirë, duke mbetur në fundin e klasifikimit me vetëm 2 pikë në 6 javë. Ndërkohë, pozitat e trajnerit Carlo Garcia janë të lëkundura, me dorëheqjen apo shkarkimin që duket tashmë thjesht çështje kohe.
Dinamo ngjitet lart në tabelë dhe konfirmohet si një nga pretendentet kryesore të sezonit, ndërsa Flamurtari përjeton një nga nisjet më të dobëta në vitet e fundit.