Për herë të parë në Korçë është shfaqur dokumentari “Spaç 1973 – Martirët e Lirisë”, i cili solli për publikun revoltën antikomuniste të burgut të Spaçit dhe kujtimin e martirëve të lirisë. I realizuar nga autori Besim Ndregjoni, filmi është një akt rebelimi kulturor kundër harresës dhe një dëshmi e gjallë për një nga plagët më të mëdha të Shqipërisë në shekullin XX.
“Filmi jep një mesazh shumë të madh për demokracinë sot: “Vritni frikën” . Një popull që vret frikën fiton së shpejti lirinë. Nëse ne nuk vrasim frikën ne do të jemi me liri të cunguar siç jemi nga këto 35 vite”, u shpreh Ndregjoni.
Përmes kujtesës së mbijetuarve, rrëfimeve rrënqethëse të familjarëve dhe dokumenteve arkivore, “Spaç 1973” ngrihet si një monument për ata që nuk patën varr, por mbeten të gjallë në ndërgjegjen e secilit.
“Kam një peng që eshtrat e babait tim nuk janë gjetur akoma dhe ky është pengu më I madh”, u shpreh një prej familjarëve të martirëve.
Dëshmi e fortë ishte edhe ajo e familjarëve te martirëve, një prej tyre kujtoi me dhimbje se një nga katër të pushkatuarit ishte babai i tij. Ai theksoi se kishte qenë vetëm 3 vjeç kur humbi babain, duke mbetur me një kujtim të zbehtë e të dhimbshëm ndërsa pengu më i madh mbetet fakti që eshtrat e babait të tij nuk janë gjetur ende.
Po aq të fuqishme ishin rrëfimet e të mbijetuarve si Nevruz Golka dhe Vaskë Orgoca, të cilët përballuan ferrin e burgut të Spaçit dhe sot dëshmojnë për të mos harruar.
“Gruan e dënuan me 25 vite burg ndërsa mua me vdekje”, u shpreh një prej të mbijetuarve.
Në një kohë kur Shqipëria ende nuk i ka gjetur eshtrat e 6 mijë të pushkatuarve politikë, “Spaç 1973 – Martirët e Lirisë” është një thirrje për të mos e lënë të zhduket kujtesa.
Ndërkohë familjarët përcjellin mesazh duke rikujtuar se duhet të vrasim frikën për të qenë njerëz të lirë dhe mos të përsëriten ngjarjet e së kaluarës.