Specialistët e Qarkullimit Rrugor Durrës referuan materialet në Prokurori për shtetasin I. M., 19 vjeç, banues në Kavajë, sepse në Kavajë, në rrugën “Indrit Cara”, duke drejtuar automjetin e tij, ka humbur kontrollin dhe ka aksidentuar shtetasin Sh. Xh., 63 vjeç, me biçikletë, i cili ndodhet për mjekim në Spitalin e Traumës Tiranë, jashtë rrezikut për jetën.
Referuan materialet në Prokurori për vlerësim, pasi më datë 03.10.2025, rreth orës 22:15, në aksin rrugor “Tiranë-Durrës”, shtetasi H. F., 70 vjeç, banues në Vlorë, duke drejtuar automjetin e tij, dyshohet se ka humbur jetën si pasojë e një arresti kardiak, e për rrjedhojë automjeti është përplasur me trafikndarësen.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Durrës arrestuan në flagrancë shtetasin L. C., 47 vjeç, banues në fshatin Katund Sukth, sepse ka ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes dhe djalit të tij të mitur.
Po këta specialistë shpallën në kërkim shtetasin V. Gj., 42 vjeç, banues në Durrës, sepse gjatë një konflikti për motive të dobëta, ka goditur me grushte një 44-vjeçar.
Proceduan penalisht shtetasin F. P., 35 vjeç, banues në Durrës, për veprën penale “Dhuna në familje”.
Gjithashtu, referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin P. N., 54 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë administrator i një firme ndërtimi, pasi ditën e djeshme, gjatë punës, është aksidentuar dhe ka dëmtuar krahun shtetasi egjiptian I. E., 46 vjeç, banues në Durrës, i cili pas mjekimit në Spitalin Rajonal Durrës u largua për në banesë.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Stacionit të Policisë Plazh referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasen A. S., 43 vjeçe, banuese në Durrës, për veprën penale “Ndërtim i paligjshëm”.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shijak referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin K. S., 30 vjeç, banues në Shijak, pasi u konstatua se kishte ndërtuar një objekt pa lejen e organeve kompetente.