Ballina Dossier Historitë e trishta të familjeve “reaksionare” në komunizëm

Historitë e trishta të familjeve “reaksionare” në komunizëm

12
0

Familjarë të Azis Biçakut, pjesë e persekutimit dhe torturave të shtrirë në disa dekada, dëshmi shokuese të të mbijetuarve!

Në vitin 1945, familjen e tij, të përbërë nga dy gratë e Azisit, djalin e vogël 11 vjeçar Hysniun, tre vajzat, gruan e Isufit me djalin e mitur trevjeçar Ilirin, i internojnë në kampe pune të Beratit e Kuçovës.

Atje qëndruan 4 vjet. Në këto kampe staliniste, ku u përqendruan mijëra familje të përndjekura nga i gjithë vendi, punonin edhe gratë, të reja e të moshuara, duke kryer punë të rënda si transport gurësh, gërmim dheu etj. Në vitin 1949, i largojnë prej aty dhe i dërgojnë në kampin famëkeq të Tepelenës.

Për vuajtjet dhe jetën makabre në këtë kamp mizor, kam kontaktuar me dëshmitarët e gjallë të mbijetuar; Ilir Isuf Biçaku, Faik Halil Alla, Sheme Muzhaqi, Shefqet Dobra, Fatime Bajraktari (Biçaku), Faik Kasa, si dhe Xhevdet Shuaipin, ky i fundit nga fshati Milec i Ersekës.

Në kampin-burg të Tepelenës, i vendosin në kazermat italiane të kohës së luftës, burra e gra bashkë. “Në një kapanon, – tregojnë ata, – mund të ishin mbi 500-600 veta”. Për shtrojë kishin copa dërrasash të vjetra. Çdo familjeje i caktohej vendi duke llogaritur 50 cm për person.

“Qëndronim, si fishekët në karikatorë”, – shprehet Ilir Biçaku, i cili kur shkuan atje, ishte vetëm 6 vjeç. Të gjithë dëshmitarët e mbijetuar shpjegojnë tmerret e kampit, disa nga të cilat po i përshkruaj më poshtë; Për këtë Ilir Biçaku rrëfen se banjot i kishin rreth 200 metra larg.

Vetëm 400 gram bukë për person në ditë, ishte racioni. Buka mbante erë. Ajo ishte gatuar me miell misri, të bluar nga mbeturinat e magazinave. Për mjaft kohë ushqeheshin vetëm me bukë thatë. Më vonë filluan të gatuajnë një supë pa yndyrë. Hanin nga kazani, “gjellë kazani” e quanin ata. Në rresht, të gjithë kalonin para kazanit, me një tas alumini në dorë, ku u hidhnin një garuzhde me një lëng supe, që kurrsesi nuk mund të quhej gjellë.

“Aty, – tregon ai, – lundronte ndonjë kokërr orizi, ose fasuleje. Në shumë raste dalloheshin krimbat në të. Kjo ishte supa që u mbante shpirtin gjallë. Shumë prej njerëzve u binte të fikët nga mungesa e ushqimit. Sëmundjet bënin kërdinë. Për gjithë këto vite, nuk e panë kurrë ngjyrën dhe ngrohtësinë e zjarrit, s’e panë kurrë të larit e lirshëm.

S’dinin se çfarë ishin ndërresat. Prej vitit 1945 deri më 1954, nuk u kishte rënë në dorë asnjë lloj leku. Nënat shtrëngonin barkun, për t’u dhënë sadopak më shumë fëmijëve nga racioni prej 400 gramësh bukë. Morrat e çimkat shkonin si re mbi tesha. Çdo ditë vdisnin njerëz nga uria. Një grua vritet nga plasja e një mine. Ajo kishte mbledhur ca ferra të thata e ndez një zjarr, për të ngrohur një kusi me dy lecka për t’i larë.

Territori kishte mbeturina të municioneve luftarake. Nga viti 1949 deri në vitin 1954, për pesë vjet qëndruan në këtë kamp – burg, të rrethuar me tela me gjemba, të vrojtuar natë e ditë nga roje, mijëra njerëz nga familjet kundërshtare të regjimit. Shumica e tyre ishin gra, fëmijë e të moshuar, mbasi burrat ishin të arratisur, burgosur ose pushkatuar nga regjimi.

Këtu kaloi moshën e fëmijërisë nga 6 në 11 vjeç, Ilir Isuf Biçaku nga fshati Letëm. Aty në Tepelenë fillon shkollën fillore. Fillimisht i çonte polici në një vend të improvizuar për mësim rreth 600 metra larg kazermës. Mungonin tekstet e mjetet e nevojshme për mësim. Në vitet e mëvonshme, fëmijët shkonin vetë në shkollë.

Ndërsa, qe vërtet rrëqethëse, për këta fëmijë, që ishin me qindra, të cilët nuk dinin pse ishin aty, e që nuk ngopnin asnjëherë barkun me bukë thatë. Dhe ja, si e përshkruan Iliri, i mbijetuari i kampit famëkeq të Tepelenës, në librin me poezi me titull: “Mes trysnisë”, botuar në vitin 2001.

“Fëmijë ende, s’di se pse, ‘Gaz’-i, vrapi pengoheshin atje,

Pa nënë, babë, motër, vëlla, mes telash, robtë qenë të ndarë.

Ecja, vrapoja s’di se pse, ‘Gaz’-i, vrapi pengoheshin atje

Te rrjeta me tela, zi hata Rrinim ne uritur sa s’ka.

Bija, ngrihesha s’di se pse ‘Gaz’-i, vrapi pengoheshin atje,

Te teli me gjemba, bajoneta pa diell, pa ajër, kalonte jeta.

Duroja dhimbjen s’di se pse ‘Gaz’-i e vrapi pengoheshin atje S’këputej teli, s’thyhej gjembi, s’pihej uji, s’shihej qielli”.

…………………………………………………….

Nëna e Ilirit, ishte e detyruar të shkonte në punë për të mbajtur dru në pyll. Jetën mizore të kampit e provuan edhe pjesëtarët e tjerë të familjes; gjyshet, motrat dhe xhaxhai i tij, Hysniu. Dhe këtë të fundit, që ishte 15-16 vjeçar, e merrnin në punë.

Mbas gjashtë vitesh, më 1954, i heqin nga Tepelena dhe i internojnë në Savër të Lushnjës. Këtu ishin të internuar, pra jo të burgosur. Fillimisht i vendosën në një kapanon të madh që kishte qenë stallë kuajsh. “Aty, – shprehej Iliri, – hynte i nxehti dhe i ftohti; “si të donte”.

Familjes Biçaku i ra të ishin në hyrje te dera, nga ana tjetër ishin të detyruar që të duronin të shkelurat e njerëzve që dilnin natën jashtë. Më vonë i çuan katër familje bashkë në një dhomë barakë. Më vonë ndërtohen shtatë barake të tjera, në të cilat vendosin po kështu disa familje bashkë, të cilat i nxirrnin nga ish-stalla e kuajve ku qenë vendosur fillimisht.

Internimi, veç të tjerash kishte edhe një të keqe tjetër, mbasi çdo ditë duhej të paraqiteshe në apel, ku merreshin mungesat, pasi kishin frikë se mos arratiseshin. Hysniu, në Savër njihet me Esma Xhydollari nga fshati Ydënisht i Pogradecit. Edhe ajo ishte e internuar familjarisht. Familjes Xhydollari, në vitin 1944 partizanët u kishin djegur shtëpitë. Babai i saj, Selamiu, kalon në arrati, për t’u organizuar kundër regjimit komunist.

Në përpjekje me Forcat e Ndjekjes, ai plagoset në Macukull të Matit e, kapet nga ushtarët. Kalon në gjyq dhe dënohet fillimisht me pushkatim, më pas u mor vendimi me 101 vjet burg, ndërsa bëri 12 vjet. Hysniu Biçaku, u martua me vajzën fisnike të Selamiut, në vitin 1965. Ai, pati me të tre fëmijë, dy vajza dhe nje djalë, Ardianin. Edhe vajzat e Azis Biçakut u martuan.

Më e madhja u martua më shpejt, te fisi Qoshi në Zgosht. Ajo qëndroi pak në internim. Menduhia, motra e dytë, ishte e fejuar me Xhevit Doskun, djalin e Shahinit. Mbas disa kërkesash nga ana e Azis dhe Menduj Doskut, atë e lirojnë. Në vitin 1951, ajo ndodhej në Letëm. Ata qëndronin në shtëpinë e të shoqes së Ahmet Hoxhës. Ky i fundit u pushkatua nga forcat partizane, mbas djegies së shtëpive të Azisit.

Aty, shkojnë Azis Dosku, xhaxhai i Xhevitit, Menduj, djali i tij, kushëri i parë me Xhevitin, Meremja, gruaja e Shahinit, e cila ishte njerka e Xhevitit. Ata e marrin nusen e tyre Menduhien, pa dasëm dhe e sjellin në shtëpi. Kështu u martua Xhevit Dosku, ndërkohë edhe Menduhia shpëtoi nga internimi.

Fatimja, vajza e vogël e Azis Biçakut, e cila kaloi nëpër të gjitha kampet, u martua kur ishte në Savër, me Skënder Bajraktarin, nga Hoti i Shkodrës. Kjo e fundit, është e vetmja nga fëmijët e Azis Biçakut, që jeton edhe sot. Iliri, kur ishte në Savër, mbaroi gjimnazin e Lushnjës (1958-1962), me pedagogë Ismail Turdiun, Liri Kazazin, Hajro Babameto etj.

Në Savër ishin të internuar edhe shumë intelektualë të shquar, si Lazër Radi, Hamit Kazazi, Dragushe Efovia, Tomorr Dosti, familja Mirakaj, familja Kolgjini etj., të cilët vuanin internimin mbasi kishin dalë nga burgjet. “Nën prehrin e këtyre intelektualëve, – tregonte ai, – i u futëm rrugës së dijes, veçanërisht letërsisë, duke lexuar gjatë viteve të internimit, mbi 2000 romane”.

Ëndrra e tij ishte të bëhej piktor. Vjen një ditë e konkurroi për këtë degë dhe fitoi, por ëndrra iu shua, mbasi nuk e pranuan të vazhdojë studimet. Diktatura e degdisi këtë talent të rrallë, duke punuar si punëtor ferme e murator, por ai asnjëherë s’e la librin. Në vitin 1967, martohet me Fatbardha Çepelen, nga Roskoveci, e cila ishte edhe kjo e internuar, e vinte nga një familje të persekutuarish, me babanë e xhaxhanë të dënuar me nga 10-15 vjet burg.

Në vitin 1988, i dhanë një dhomë prej tulle në një shtëpi në Savër. O zot! Nuk e besonte. Ndërkohë, Ilirit asnjëherë nuk iu shua shpresa se një ditë do t’i kthehej penelit. Me përmbysjen e diktaturës, ëndrra e tij u realizua. Në vitin 1990 i persekutuari dhe i nënvleftësuari Ilir Biçaku, u zgjodh kryetar fshati në Savër.

U largua nga Savra në vitin 1992. Në vitin 1993, punoi oficer në Komisariatin e Policisë Lushnjë, duke kryer detyra në sektorë të ndryshëm të tij. Ndërkohë që në vitin 1990, ai filloi pikturën. Ka qenë pjesëmarrës në dy ankande të pikturës shqiptare në Galerinë Kombëtare të arteve (2001-2005).

Në konkursin që u hap për pikturën me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë, Iliri ishte ndër 16 fituesit konkurrues, ku fitoi të drejtën e paraqitjes me 3 piktura, portrete nga jeta e tij. Është për t’u përmendur edhe një eveniment tjetër në jetën e Ilirit. Pas shembjes së diktaturës, Iliri jetonte me fëmijët gruan dhe nënën e tij të përvuajtur.

Tashmë, nga Belgjika i vjen babai i tij Isufi, i cili qe ndarë me të në vitin 1945, kur ky qe vetëm 3 vjeç. Një takim i përmallshëm e shumë i gëzueshëm. Ata shkuan së bashku edhe në Letëm, në vend-lindjen e tij të dashur, ku ndenjën disa ditë me të afërmit e miqtë e shumtë.

Vajzën dhe fëmijën e fundit të Azis Biçakut, Fatime Bajraktarin, e cila është e vetmja, nga brezi i parë i trungut të kësaj familje, që jeton ende sot, e takova më 1 shtator 2019, në qytetin e Lezhës, ku dhe banon. Fatimeja, sot është 82 vjeç. Shkon shpesh në Belgjikë duke kaluar mjaft kohë atje, ku ka dy djemtë dhe një vajzë, ndërsa me vajzën tjetër jeton në Lezhë. Ishte një takim mbresëlënës.

Nga kujtimet e marra prej bashkëkohësve për Azis Biçakun, dukej se ajo ngjante shumë me të. E vëmendshme, e qetë dhe e sigurt në përgjigjet gjatë bisedës, Fatimeja rrezatonte maturi dhe kulturë. Duket se vitet e gjata të vuajtjeve nën diktaturë, nuk e kishin mposhtur atë, ndërsa jeta bashkëshortore në familjen Bajraktari, kishin kalitur e forcuar më tej virtytet e cilësitë e lindura të një malësoreje krenare.

Fatime Azis Biçaku, u lind në fshatin Letëm në vitin 1937. Ajo rrëfen se shumë pak e përfytyronte babanë e saj, pasi kur e internuan familjen, ajo ishte vetëm 7 vjeç. Deri në vitin 1949, qëndruan në Berat, ndërsa më pas në Turan e Tepelenë. Në Tepelenë kaloi vitet e adoleshencës së hershme, nga 12 deri 17 vjeç.

Ashtu si qindra vajza të tjera të kampit, Fatimeja provoi urinë, përbuzjen, përçmimin e jetën e përvuajtshme në kazermat e kampit makabër. Në vitin 1951, i lirojnë përkohësisht dhe vijnë në Letëm. Qëndruan për 5-6 muaj në shtëpinë e Ahmet Hoxhës, mbasi siç dihet, shtëpitë e tyre qenë djegur.

Kujtuan se shpëtuan, por jo! I morën përsëri forcërisht e i çuan në Tepelenë, brenda telave me gjemba, të rrethuar me roje të armatosur. Pas Tepelenës vjen Savra. Aty fillimisht i vendosën disa familje bashkë në një barakë. “Për martesë ishin të kufizuar, – rrëfen Fatimeja. – Aty rreth vitit 1958-‘59 vjen një urdhëresë, që të internuarit mund të martoheshin me njëri tjetrin brenda kampit”.

Tashmë Fatimeja ishte 22 vjeçe. Në vitin 1959, ajo martohet me Skënder Bajraktarin. Babai i tij, Kadri Bajraktari, kishte kryer disa vite burg, dhe nga Tepelena ishte sjellë me familjen në Savër. Bashkë me të ishte edhe familja e të vëllait të tij, Mul Bajraktari.

Fati e deshi, që vajza trime dhe fisnike e Azis Biçakut të martohej me djalin e familjes Bajrak, me tradita patriotike e liridashëse më me zë të Malësisë së Madhe. Në Savër i mbajtën të internuar deri në vitin 1965. Më pas, u lejuan të largohen. Familja e tyre u vendos në Shtoi të Shkodrës, ku qëndruan te motra e Skënderit, e cila ishte me banim aty. Pas një viti nisen drejt Hotit, për t’u vendosur në shtëpinë e tyre.

Aty qëndruan dy vjet, por nuk qe e thënë të rrinin më gjatë në atë shtëpi që aq shumë e dëshironin. Kullën e lashtë trekatëshe legjendare, me shumë dhoma, ku qenë mbledhur dhjetëra kuvende të malësisë e patën djegur dy herë forcat serbo-malazeze, ndërsa familjarët e patën ngritur përsëri më të mirë e më të fortë.

Komunistët nuk e dogjën atë, por ja vunë syrin për ta përdorur. Në vitin 1967 e mori kooperativa bujqësore, ku u përdor herë si shkollë e herë si magazinë. Familjarët u nxorën jashtë me forcë. U larguan ata, të dëshpëruar sa më s’ka, e me kokën pas, për të mos u kthyer më për gjatë gjithë viteve të diktaturës. Familja e tyre u vendos në Bushat ku qëndruan deri në rrëzimin e regjimit komunist.

Skënder e Fatime Bajraktari, lindën e rritën 4 fëmijë, dy djem e dy vajza. Me punë e sakrifica të panumërta, të përndjekur e të mbajtur nën survejim të vazhdueshëm nga hienat e diktaturës, ata qëndruan dinjitozë e krenarë duke ruajtur e mbrojtur me besnikëri tiparet e fisnikërisë të trashëguara nga të parët e tyre. Skënderi ndërroi jetë në vitin 2002 .

Ndërkohë, që jam duke shkruar për familjen Biçaku, (ishte muaji maj 2018), në faqen e internetit pashë njoftimin se Ilir Biçaku ka ndërruar jetë nga një sëmundje e rëndë. U ndjeva shumë i lënduar, jo vetëm për vdekjen e tij, por edhe se kisha dëshirë që Iliri të njihej me librin tim, ku përshkruaj disa prej vuajtjeve të familjes e të afërmve të tij.

Duke qenë se kam kontaktuar me shtatë persona të mbijetuar të kampit famëkeq të Tepelenës, gjashtë nga të cilët janë nga Librazhdi, dëshiroj të përshkruaj edhe rrëfimet e Xhevdet Shuaipit, që është nga Erseka. Xhevdetin, me origjinë nga nga fshati Milec i Ersekës, e takova në Elbasan më 2 mars 2017, te një miku im nga Librazhdi. Duke e ditur se ai kishte qenë i internuar, e pyeta nëse kish qenë në kampin e Tepelenës dhe në se e njihte Ilir Biçakun.

“Po, – më tha ai, – kam qenë bashkë me të, në Tepelenë e Lushnjë. Iliri kishte me shumë pasion pikturën, por nuk iu lejua as të shkollohej dhe as të ushtronte këtë profesion aq të dashur për të”! Në rrëfimet e Xhevdetit ka momente rrëqethëse. Fillimisht, më tregoi rrethanat në të cilat familja e tij internohet. Babai i tij, Pajazit Shuaipi, i quajtur në krahinën e Kolonjës Pajazit Mileci, arratiset në vitin 1948 në Greqi, për arsye se i vënë tatime të papërballueshme për tokë e bagëti. / Memorie.al