Një superjaht luksoz me vlerë 500 milionë euro, i sekuestruar nga oligarku rus Andrey Melnichenko pas sanksioneve të BE-së për lidhjet e tij me Kremlinin, po shkakton zemërim në Itali për shkak të kostove marramendëse të mirëmbajtjes.
Jahti, i njohur thjesht si “A”, është i ankoruar në portin e Triestes që prej marsit të vitit 2022, dhe po i kushton bashkisë italiane 30,000 euro në ditë, një shumë që tashmë ka kapur shifrën 24 milionë paund prej ditës së parë të sekuestros.
Sipas kryetarit të bashkisë, Roberto Dipiazza, kjo është një barrë e pajustifikueshme për qytetin, kur buxhete të tilla si ai për rrjetin e tramvajeve nuk kalojnë 750,000 euro në vit.
Autoritetet janë të detyruara ta mbajnë jahtin në gjendje perfekte, pasi është teknikisht “i ngrirë” dhe jo konfiskuar. Kjo do të thotë se, nëse sanksionet hiqen ose një gjykatë vendos ndryshe, jahti duhet t’i kthehet pronarit në të njëjtën gjendje.