Nën sloganin “Rezistenca ndërton liri”, në kryeqytetin e Malit të Zi, Podgoricë, të shtunën është mbajtur edicioni i 13-të i Paradës së Krenarisë me thirrjet për mbrojtje të të drejtave të komunitetit LGBT+ (lesbike, homoseksualë, biseksualë dhe trangjinorë).
Përmes një marshi paqësor të mbajtur në qendër të qytetit, pjesëmarrësit janë parë me flamuj shumëngjyrësh dhe mbishkrime si: “Ecja për liri”, “Ku janë të drejtat tona?”, “Autenticiteti im”, “Mos u frikësoni nga vetja”, dhe “Personalja është politike”.
Pjesëmarrësit kanë thënë se në Mal të Zi nuk ka marrë fund lufta për barazi dhe që parada nuk është vetëm festë, por edhe protestë.
Organizimi ka përfunduar pa ndonjë incident, me mesazhet që komuniteti LGBT vazhdon të vuajë nga diskriminimi institucional në Mal të Zi, nga mungesa e mbrojtjes legjislative dhe stigmatizimi social.
Në protestë janë parë disa pjesëtarë të Qeverisë, si dhe ata të misioneve ndërkombëtare.
Parada e parë e Krenarisë është mbajtur në Mal të Zi më 2013, në qytetin e Budvës, ku një grup qytetarësh patën hedhur gurë dhe gjësende tjera në drejtim të pjesëmarrësve.
Incidente janë regjistruar edhe në paradat vijuese.
Më 2020, Parlamenti i Malit të Zi e ka miratuar Ligjin për Partneritetin e Jetës, i cili ka hyrë në fuqi një vit më vonë.
Ligji iu garanton personave të gjinisë së njëjtë që janë në çift, të drejtat e njëjta sikurse çiftet heteroseksuale, por pa mundësinë e adoptimit të fëmijëve.
Ndonëse ky është konsideruar hap i madh drejt njohjes së të drejtave të këtij komuniteti në Mal të Zi, ende ka zëra se shumë ligje nuk janë të harmonizuara, dhe kështu krijohen zbrazësi që vështirësojnë përditshmërinë. / REL