Kompanitë do të kenë edhe një javë shtesë për dorëzimin e ofertave për aksin rrugor Milot – Balldre. Gjatë rihapjes së garës nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, 2 tetori shënonte datën e fundit për dorëzimin e dokumentacionit, por tashmë afati i ri është vendosur data 10 tetor. Gara koncesionare synon gjetjen e një kompanie private që do të ndërtojë këtë segment të rëndësishëm rrugor, një proces që sipas dokumenteve të tenderit parashikohet të zgjatë 30 muaj nga nënshkrimi i kontratës.
Kjo nuk është hera e parë që synohet kontraktimi për këtë vepër infrastrukturore, teksa procedura e fundit e hapur në dhjetor të vitit të kaluar u anulua me argumentin se asnjë prej ofertave të paraqitura nuk ishte e përshtatshme.
Ndërkaq, sipas dokumenteve të tenderit, që shoqërojnë garën koncesionare, vlera totale e parashikuar e projektit është rreth 365 mln euro, pa TVSH, ndërsa kohëzgjatja e kontratës do të jetë 35 vjet. Në këtë vlerë përfshihen kostot për projektimin, operimin dhe mirëmbajtjen e rrugës që do të jetë autostradë e kategorisë A, nga rrugë e kategorisë C që është aktualisht.
Aksi Milot-Balldre është i gjatë rreth 17 km. Rruga fillon në nyjen e Milotit, ku do të lidhet me segmentet e tjerë rrugorë Milot-Thumanë – Kashar – Lekaj – Rruga e Kombit dhe do të përfundojë në rrugën ekzistuese Tiranë –Shkodër, në Balldre.
Ky aks është pjesë e korridorit Adriatiko – Jonian, i cili është i identifikuar paraprakisht si pjesë e Korridorit TEN-T Mesdhetar, duke shtrirë Korridorin Kryesor të Rrjetit të BE – së në Rajonin e Ballkanit Perëndimor.