Tensione të larta janë regjistruar në protestat në Gjeorgji ku tubuesit hynë në pallatin presidencial në Tbilisi, duke thyer barrikadat metalike dhe u përplasur me forcat e rendit.
Sipas burimeve, policia përdori gaz lotsjellës, ndërsa dëshmitarë dhe mediat vendase raportojnë se janë përdorur edhe spraj piperi dhe ujë me presion për të shpërndarë turmën.
Mijëra qytetarë, kryesisht mbështetës të opozitës, u mblodhën në qendër të kryeqytetit ditën e sotme, duke bojkotuar zgjedhjet vendore dhe duke kërkuar lirimin e kundërshtarëve politikë, përfshirë aktivistë, gazetarë dhe figura politike të arrestuar pas protestave të fundvitit të kaluar. Gjatë tubimit, turma brohoriste “Revolucion!”.
Situata aktuale politike në vend mbetet e tensionuar, me zgjedhjet vendore të këtij fundjave që përfaqësojnë një test të rëndësishëm për partinë në pushtet “Ëndrra Gjeorgjiane”, pas fitores së kontestuar në zgjedhjet parlamentare të vitit 2024.
Protesta u organizua nga këngëtari i njohur Paata Burchuladze, themelues i platformës opozitare “Rustaveli Avenue”, ndërsa tetë parti opozitare që po bojkotojnë zgjedhjet janë bashkuar në këtë lëvizje, duke i quajtur zgjedhjet “një farsë elektorale” dhe duke akuzuar për një “operacion special rus”.