Nga Elton Qyno
Një tender i rradhës është hapur nga SPAK, i cili ka vendosur të shpenzojë deri në 793 mijë euro, për të kryer mobilimin e brendshëm të ambjenteve të godinës së Byrosë Kombëtare të Hetimit që janë rikonstruktuar së fundmi.
Tenderi ka si synim të kryejë tërësisht mobilimin e objektit, ndërkohë procedurat janë hapur qysh prej 24 shtatorit dhe afati përfundimtar është 24 Tetori 2025.
Tavolina pune, kolltuqe, dollapë e deri tek perdet e dritareve do blihen nga SPAK.Vetëm perde jo transparente me mekanizëm, SPAK ka porositur 3939 metra katror. Ndërsa në listën e mallrave që do blihen janë dhe 242 karrige me rrota dhe 12 copë dollapë për zhveshje.
Altin Dumani, ia ka besuar këtë proces tenderues, Lulzim Matës, një ish-zyrtari prokurimesh në Autoritetin e Rrugor Shqiptar i punësuar disa muaj më parë në SPAK si dhe kancelares së SPAK, Laureta Binaj, gruas së gjyqtarit të Gjykatës së Lartë, Sokol Binaj.
Tenderi nuk është ndarë në Lote të Posaçme, për të fragmentizuar shumën financiare, pasi SPAK ka argumentuar se:
“…mobilimi nuk është një grup artikujsh i rastësishëm, por një projekt i unifikuar, i cili fiton vlerë vetëm nëse realizohet si një tërësi e vetme dhe nën përgjegjësinë e një operatori të vetëm ekonomik. Prandaj, mosndarja në lote nuk është vetëm një opsion i lejueshëm nga ligji, por një domosdoshmëri logjike, teknike dhe funksionale, që siguron koherencë estetike, integrim teknik, përgjegjësi të qartë dhe dorëzim të unifikuar në kohë…”.
Ndaj nisur nga kjo situatë dhe ky argumentin, Komisioni i Vlerësimit të Ofertave, do shpallë vetëm një kompani fituese, e cila do ketë ekskluzivitetin të mobilojë të gjithë godinën e BKH-së.
Kujtojmë se tenderi i rikonstruksionit të brendshëm të godinës dështoi dy herë. Në procedurën e tretë, SPAK mundi të shpallë fituesin në muajin dhjetor 2024, duke nxjerë fitues një bashkim operatorësh ekonomikë të udhëhequr nga 2T, në tenderin 3.95 milionë euro.
Sipas dokumentave të publikuar në Agjencinë e Prokurimeve Publike, “K.A.E.XH” e Kapllan Cukut nga Dibra, “2 T” e Artan Sakos dhe Dritan Troksi dhe “A E S S” e Lefter Klemos, u shpallën fituese në garën, ku pati vetëm dy oferta duke ofruar çmimin 3.71 milionë euro.
Oferta tjetër që rezultoi humbëse, ishte ajo e shoqërisë së ndërtimit “ULZA” e vëllezërve Ndue dhe Nikolin Shpani, e cila ofroi çmimin 3.89 milionë euro.
Godina disa-katëshe, e cila ka kushtuar mbi 4 milionë euro për ndërtim, iu kalua nën administrim Prokurorisë së Posaçme, pas një marrëveshjeje mes Ministrisë së Drejtësisë dhe Bashkisë së Tiranës, në atë kohë Erion Veliaj.
Objekti, megjithëse i ri, nuk kishte një arkitekturë të brendshme shumë funksionale për t’u shndërruar në zyra të Prokurorisë së Posaçme.
Për këtë arsye, qeveria shqiptare miratoi një kërkesë të SPAK-ut për buxhet, me qëllim, rikonstruksionin e saj dhe përshtatjen për ambjente për prokurorët dhe oficerët e Byrosë Kombëtare të Hetimit.
Pjesë e projektit të përshtatjes ishte edhe ndërtimi i një tuneli mbi-tokësor, i cili do të lidhë godinën e re të BKH-së me ambjentet e Prokurorisë së Posaçme./Syri