Ballina Kronika Atentati me tritol në Sarandë, viktima me precedent penal, babai i Kalus...

Atentati me tritol në Sarandë, viktima me precedent penal, babai i Kalus Jaçajt, i përfshirë në një plagosje të dyfishtë në muajin korrik

26
0

Një shpërthim tronditi mbrëmjen e djeshme (4 tetor) qytetin e Sarandës, ku humbi jetën 58-vjeçari Isuf Jacaj, një emër i njohur për policinë si person me precedentë penalë.
Ngjarja ndodhi rreth orës 22:50, në lagjen nr. 3 të qytetit, ku një sasi lënde eksplozive e vendosur në një automjet tip Toyota, në pronësi të viktimës, dyshohet se shkaktoi shpërthimin fatal.

Sipas burimeve zyrtare nga Policia e Shtetit, Isuf Jacaj ndodhej brenda mjetit në momentin e shpërthimit dhe humbi jetën si pasojë e plagëve të marra.

Viktima, e njohur edhe me nofkën “Bushi”, kishte një të kaluar të ngarkuar penale, me episode të dhunshme që datojnë që para viteve 2000. Në qershor të vitit 2010, Jacaj mbeti i plagosur pas një konflikti me sende të forta në lagjen nr. 4, ndërsa në tetor 2011 i shpëtoi një atentati me armë zjarri, po në Sarandë. Në korrik 2022, u përfshi në një tjetër përplasje, ku u arrestua me një përforcues grushti, ndërkohë që një tjetër person u kap me armë zjarri.

Në vitet e fundit, Jacaj ishte angazhuar në sektorin e turizmit, duke transportuar turistë me skafin e tij në zonat bregdetare përreth Sarandës.

Pista kryesore e hetimit, hakmarrje për djalin

Një nga pistat kryesore që po hetohet është ajo e hakmarrjes, në lidhje me ngjarjen e 17 korrikut 2025, ku djali i viktimës, Klaus Jacaj, 31 vjeç, aktualisht i arrestuar për “përkrahje të autorit të krimit”, dyshohet se ka qenë i përfshirë në një ngjarje të rëndë kriminale. Në atë ngjarje, Ramadan Zoto plagosi me armë zjarri dy persona, Gëzim Hajdaraj dhe Ernest Lama, në lagjen nr. 4 të Sarandës.

Vetëm pak ditë pas asaj ngjarjeje, më 21 korrik, një person i maskuar me maskë silikoni vendosi lëndë plasëse në automjetin e Klaus Jacajt, duke e shkatërruar plotësisht. Rasti mbetet ende i pazbardhur dhe autorët nuk janë identifikuar.

Sot, rreth orës 22:50, në lagjen nr. 3, Sarandë, dyshohet se ka shpërthyer një sasi lënde eksplozive e vendosur në një automjet tip Toyota, në pronësi të shtetasit I. J. Ky shtetas dyshohet se është edhe personi që ndodhej brenda në automjet i cili si pasojë e shpërthimit ka humbur jetën.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po vijon punën për identifikimin dhe kapjen e autorit/autorëve, zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe dokumentimin e saj ligjor.