Ballina Dossier “Enver Hoxha i lodhur nga sëmundja, ka nevojë për Kadarenë, që t’u...

“Enver Hoxha i lodhur nga sëmundja, ka nevojë për Kadarenë, që t’u japë jetë kujtimeve të tij, por në të njëjtën kohë ai e sheh atë si…”

23
0

Nga Lumnie Thaçi-Halili

Hulumtim letrar për librin “Kujtime të kohës me Kadarenë”, të Sulejman Matos; URA, Prishtinë, 2025 

Vërtetësia si bosht i rrëfimit letrar

Letërsia e kujtimeve është një nga hapësirat më delikate ku ndërthuren kujtimi dhe arti. Ajo fiton një dimension të veçantë kur autori zgjedh të shkruajë jo për veten, as për veprën e një kolegu, por për njeriun që fshihet pas figurës publike të shkrimtarit. Në këtë territor, sinqeriteti bëhet një akt letrar po aq i rëndësishëm sa gjuha apo stili: të portretizosh mikun me gjithë dritëhijet e tij është të afirmosh se e vërteta, sado e ndërlikuar, i shërben më mirë kujtesës sesa thurja e lavdit.

Autori i këtyre kujtimeve i jep peshë përmendjes së një fakti te “Nëpunësi i pallatit të ëndrrave”, që shfaqet si gur themel në krijimtarinë e Kadaresë dhe bashkon trekëndëshin me “Gjeneralin e ushtrisë së vdekur” dhe “Kronikë në gur”. Në raport me Kafkën dhe Ionescon, romani tregon fuqinë e Kadaresë për të demaskuar totalitarizmin, Ebu Qerimi, burokrati i ëndrrave, mishëron mekanizmat e padukshëm të frikës.

Botimi në klimën e Nenit 55 dhe kujdesi i Dritëroit në Lidhjen e Shkrimtarëve tregojnë, se vepra kërkonte jo vetëm talent, por edhe intuitë për t’u përballur me censurën (fq. 203). Në veprën “Kujtime të kohës me Kadarenë”, përmendja e Çmimit ‘Nobel’, ashtu siç e përshkruan Sulejman Mato në njësinë treguese “Çmimi Nobel” (f. 239), meriton vëmendje të veçantë, pasi reflekton mbi pozitën unike të Kadaresë dhe mbi marrëdhënien mes artit, politikës dhe përkatësisë kulturore.

Ai tregon se vlera e shkrimtarit nuk matet me marrjen e këtij Çmimi, por me qëndrueshmërinë e veprës në ndërgjegjen kritike. Kadareja, edhe pa ‘Nobel’, ka fituar vlerësim e admirim ndërkombëtar, duke mbetur i pavarur nga skandalet politike që shpesh shoqërojnë çmimin. Kujtimet nga Moska dhe Parisi, zbulojnë identitetin e tij si autor mes Lindjes dhe Perëndimit, ndërsa Parisi bëhet hapësira e lirisë krijuese.

Përkatësia fetare e kulturore nuk shfaqet si kufizim, por si materie artistike, dhe çdo kujtim personal ose historik shndërrohet në pasuri universale. Në thelb, madhështia e Kadaresë qëndron te aftësia për ta kthyer historinë e popullit të vet, në letërsi që flet me botën. Pra, ky ekuilibër midis respektit dhe zhveshjes, e bën veprën e tij më të besueshme dhe më të çmueshme, sepse i jep lexuesit jo vetëm figurën publike të Kadaresë, por edhe njeriun që fshihet pas tij.

Tërësisht në libër, figura e Kadaresë ndërtohet si një mozaik kujtimesh, ngjarjesh dhe refleksionesh, jo si një portret linear e i njëtrajtshëm. Sulejman Mato e paraqet mikun shkrimtar me një realizëm të përzier me respekt, duke shmangur dy skajet: idealizimin pa kushte dhe ekspozimin thjesht kritik.

Portreti që del nga faqet e këtij libri është i gjallë, i lëvizshëm, i mbushur me hijezime njerëzore. Autori e sheh Kadarenë njëkohësisht si figurë të jashtëzakonshme letrare dhe si njeri me shprehi të zakonshme, me huqet dhe zakonet që ka.

Ai kujton humorin e hollë, shpërthimet e papritura, nervozizmat ndaj kolegëve, por edhe qetësinë e një njeriu të lodhur nga lavdia e beftë që në moshën rinore. Përmenden ritualet e përditshme: kafetë, filxhani i telvesë, shëtitjet në Gjirokastër, dhënia e kujdesshme e librave dhuratë, po aq sa përshkruhen çaste të brishta intime: raporti me Helenën, dashuria për familjen, kujdesi ndaj miqve, mallin për qytetin e lindjes etj.

Mato thekson edhe momentet krijuese të tij: procesin e shkrimit, mënyrën se si Kadareja përzgjidhte detaje nga kujtesa, marrëdhënien e tij me folklorin, me Homerin, Shekspirin apo Kafkën…! Tregohet si lindnin librat nga “laboratori i brendshëm” i imagjinatës, si përshtateshin në rrethana politike, si mbroheshin ndaj censurës, si u hapën më vonë portat e botës etj.

Në të njëjtën kohë, libri ndriçon marrëdhëniet shoqërore: miqësitë e hershme, admirimin për disa autorë, si dhe tensionet me disa të tjerë (p.sh. Neshat Tozaj, Nasho Jorgaqi, Bilal Xhaferi), kujdesin e matur për t’u kërkuar falje atyre që mund t’i kishte lënduar nëpërmjet artit…!

Këtu, figura e Kadaresë nuk shfaqet si hero pa të meta, por si personalitet kompleks, ku gërshetohen modestia e përhershme e shkrimtarit, me krenarinë e ligjshme për veprën; humori me heshtjen; dashamirësia me distancën. Kujtimet nuk janë renditur sipas një vije kronologjike me rigorozitet, përkundër kësaj ato ndërtojnë një portret të ndër-zëshëm, të ndërtuar nga episode, biseda, analiza letrare, shënime udhëtimi dhe skena intime.

Në fund, lexuesi merr parasysh jo vetëm monumentin e Kadaresë, por edhe njeriun që qëndron prapa tij: krijuesin e madh, me zemër të mbushur nga kujtime, me talent që shpërthen mbi realitet, por edhe me përvuajtjet, lodhjet, zhgënjimet, gëzimet dhe trishtimet e një jete të atëhershme. Kjo ndërthurje e bën librin të besueshëm dhe emocional për lexuesin, duke i dhënë një dimension njerëzor figurës së shkrimtarit që zakonisht shihet nga larg, vetëm përmes veprës së tij.

Vetvetiu shtrohet pyetja: a sjell kjo vepër një dimension që kritika letrare nuk arrin ta përfshijë tërësisht? Dhe, për më tepër, çfarë vlere i shton ajo kujtesës letrare e kulturore të kohës, kur lexohet e interpretohet nga vetë lexuesi? Si rrjedhojë edhe përgjigjet vijnë vetvetiu, se ky libër qëndron shumë më lart se një kujtim i zakonshëm, sepse i bashkon tri shtresa që rrallë takohen në një të vetëm: rrëfimin personal, vëzhgimin kritik dhe reflektimin filozofik mbi letërsinë dhe kohën.

Në këtë frymë kujtojmë shprehjen e Rexhep Ferrit: “Koha mund të paraqitet edhe si hapësirë e largët apo e afërt, për marrëdhënie njerëzore” (R. Ferri, Gabime të bukura, ASHAK, Prishtinë, 2015, fq. 139). Ky libër nuk sjell fotografi të jetës së Kadaresë, por përçon tërësisht ndërgjegje letrare. Episodet janë përzgjedhur me kujdes nga përvoja e shkrimtarit, i cili di të nxjerrë vetëm çastet me kuptim, duke ia lënë lexuesit mundësinë ta konceptojë veprën, si një album fotografish. Vlera e tij kryesore është se e zbret figurën e Kadaresë nga piedestali i miteve dhe e vendos në dritën e butë të njerëzores.

Kritika letrare ka folur gjatë për veprat e tij letrare, por nuk mund të tregojë dot si qeshte ai në një kafene, si ngurronte të kërkonte ndonjë ndihmë praktike, si heshtte për të mos e lënduar dikë, si mbrohej nga vetmia me humor ose me punë…! Këtu Mato e nxjerr në pah “pulsin e brendshëm” të mikut, si një përzierje të thjeshtësisë, krenarisë, drojës dhe ironisë, e cila nuk mund të shihet në analizat akademike.

Ky libër është një shtesë e çmuar për kujtesën letrare dhe kulturore të kohës. Ai rindërton një peizazh të tërë të botës shqiptare gjatë gjysmës së dytë të shekullit XX-të dhe fillimit të shekullit XXI, si: Lidhjen e Shkrimtarëve, kafet e Tiranës, qytetin e gurtë të Gjirokastrës, Beratin e një mbi një dritareve, Sarandën e pushimeve, krejt më vonë Qerretin e qetë, auditorët e konferencave, ceremonitë zyrtare, por edhe tavolinat intime ku lindnin ide dhe projekte letrare.

Përmes shumë rrjetëzime skenash, lexuesi sheh jo vetëm Kadarenë, por edhe historinë e një brezi krijuesish që përballuan censurën, ruajtën humorin dhe e ngritën letërsinë mbi llogaritjet e frikës. Më thellë akoma, libri është një letërsi e përkujtimit.

Ai e shndërron të shkuarën në material poetik, duke e veshur kujtesën me hijen dhe të vërtetën e fjalës. Portreti i mikut bëhet një dëshmi njerëzore e çliruar nga retorika, ndërsa autori ndërton një hapësirë intime, ku lexuesi hyn pas kulisave apo skutave të mitit dhe sheh njeriun real ashtu siç si është me shpresat, mëdyshjet, krenarinë.

Nga kjo del se kujtimet nuk janë thjesht arkiv, por energji që ringjallin kohën, një mënyrë për të shpëtuar nga harresa njerëzit dhe librat që kanë formësuar kulturën tonë. Në këtë kuptim, ato shndërrohen në një dëshmi të vetëdijshme kulturor, që u ofron brezave të vërtetat e përjetuara mbi mënyrën se si letërsia shqipe u shkrua, u mbrojt dhe u ngjit në majat e saj.

Si një homazh i përmbajtur, i ndërtuar mbi një rrëfim me ngjyra njëherësh intime dhe publike, libri shfaqet si thesar i mbamendjes kombëtare, ku miku shkrimtar dhe autori, gjithashtu shkrimtar, bashkohen në një narrativë që zbulon bukurinë dhe tragjiken e rrugës krijuese.

Natyrshëm del pyetja tjetër: a pasurohet bibliografia rreth Kadaresë përmes një dëshmie njerëzore? Përgjigjja është po. Vepra e Sulejman Matos e pasuron ndjeshëm këtë bibliografi, duke hyrë në një hapësirë ku studimet kritike zakonisht nuk depërtojnë dot: në jetën e shkrimtarit dhe në atmosferën e marrëdhënieve të tij me njerëzit dhe kohën. Studiuesit e veprës së Kadaresë janë përqendruar kryesisht në veprimtarinë letrare, ato ofrojnë analiza të çmuara, por zakonisht mbeten në planin e ftohtë të argumentit teorik.

Libri i Matos e ngroh peizazhin kritik, duke sjellë zërin e gjallë të krijuesit, gjestet e përditshmërisë, bisedat spontane dhe përjetimin emocional. Ai ofron atë që kritika teorike shpesh e anashkalon: portretin njerëzor të Kadaresë, me dritëhije, rituale krijuese dhe marrëdhënie shoqërore. Vepra e lidh shkrimtarin me kontekstin kulturor e historik, Lidhjen e Shkrimtarëve, qytetet formuese, skenën e diktaturës, emigrimin dhe kthimin në atdhe.

Kështu, kujtimi personal shndërrohet në burim dokumentar, që pasuron studimet kadareane me të dhëna të pakapshme përmes analizës së ftohtë teorike. Në këtë gërshetim mes dokumentit dhe përjetimit qëndron vlera e tij: një dëshmi e gjallë e jetës letrare shqiptare.

Autoportreti indirekt i Sulejman Matos në libër

Përgjatë leximit të librit, shihet që përveç portretit të Kadaresë, është i pashmangshëm edhe një autoportret i tërthortë i Sulejman Matos. Në çdo kapitull, teksa rrëfen jetën dhe veprën e mikut Kadare, autori nxjerr në pah edhe veten, njeriun që ka jetuar pranë Kadaresë, shkrimtarin që ka ndarë me të kohën për të cilën rrëfen, pasionet dhe ankthin e krijimit, qytetarin që ka kaluar një regjim të ashpër pa e humbur dashurinë për letërsinë.

Thënë në mënyrë të drejtpërdrejtë, miqësia e tyre ka pasur respekt të ndërsjellë. Ai tregon se e ka njohur Kadarenë qysh në rininë e hershme, në Gjirokastër, në Berat, e në Tiranë, ku kjo marrëdhënie ka kaluar përmes shumë fazave: biseda mbi letërsinë, shkëmbime dorëshkrimesh e librash, udhëtime, darka miqësore, momente humori, por edhe heshtje të gjata.

Mirëpo, në çdo episod ruhet një mirënjohje e thellë, Mato ia njeh Kadaresë talentin, ndikimin që ka pasur tek ai, madhështinë e fjalës, ndërsa Kadareja e ka respektuar Maton si bashkëbisedues me kujtesë të gjallë e, shije të mprehtë letrare.

Këtë e vërteton më vonë në një bisedë miqësore vetë Kadareja teksa shprehet kështu: “Në Berat, sikur të mos kisha pasur Sul Maton, nuk e di çfarë do të kisha bërë”. (fq. 251). Ky pohim i tij e vendos Maton në një rreth të ngushtë besimi, si njeri që e ka ndihmuar të ruajë një lidhje me kujtimet e rinisë dhe me një botë që shpesh i dukej e largët. Në kujtimet për vitet e rinisë në Berat, për aksionet rinore, për netët e diskutimeve letrare, Mato paraqet një brez që u rrit me etjen për kulturë, nën presionin e ideologjisë.

Portreti i tij shfaq një natyrë të qetë e mendimtare, por edhe një vendosmëri për të mbrojtur artin e lirë në çdo rrethanë, si dhe bindjet dhe filozofinë e vet fetare, të pranishme në një episod të librit (fq. 83). Në bisedat me Kadarenë ai nuk është vetëm dëgjues, por bashkëbisedues që pyet, sfidon e ndan dyshime.

Ky raport i barabartë u jep kujtimeve një ton miqësor, jo servil. Për ta thënë qartë, Kadareja ka luajtur rolin e një mentori të heshtur: ka lexuar dorëshkrimet e Matos, ka bërë shënime e vërejtje, e ka mbështetur me fjalë të qeta, por të rëndësishme. Nuk ishte nga ata që lëvdonte dikë pa masë, por kur diçka e prekte, ai e thoshte qartë. Ky vlerësim ka qenë një formë e nënkuptuar e respektit për Maton.

Shpeshherë, Sulejman Mato rrëfen për botën e tij krijuese, për tregimet e para, për librat dorëshkrime që ia ka dhënë Kadaresë, për emocionin e një vlerësimi të shkurtër nga ai. Këto rrëfime e nxjerrin si shkrimtar që kërkon autenticitet, që e sheh letërsinë si punë serioze, jo si dekor.

Të gjitha këto dëshmi, të rrëfyera me sinqeritet, tregojnë se Kadareja është po aq i pranishëm edhe si qytetar në pjesën e librit “Vite ftohjeje” (fq. 223), ku shfaqet i lënduar nga censura dhe pengesat institucionale, por pa mëri, me një filozofi prej urtaku të durueshëm, që pranon sprovat e kohës.

Por ka raste në libër, kur Kadareja shfaqet edhe i distancuar ndaj Matos, jo për mungesë respekti, po për shkak të karakterit të tij të rezervuar dhe natyrës së përqendruar në punë. Madje, ka periudha kur nuk takohen, megjithatë edhe kur takohen shfaqet një indiferencë, siç është rasti në librari kur nuk e përshëndet menjëherë, ose përgjigjet shkurt mbi lajmet e vdekjes së miqve të përbashkët.

Sidoqoftë, këto nuk janë ftohtësi armiqësore, por shenja të një personaliteti të përqendruar në krijimtarinë e vet, i cili ndonjëherë humb ndjeshmërinë e çastit. Më mirë se kudo e shfaq këtë kapitulli “Viti 1967”, i cili mbyll periudhën beratase dhe hap horizontin e Tiranës, duke u dhënë kujtimeve të Sulejman Matos një vijë të qartë zhvillimi.

Rrëfimi ndërton një triadë të natyrshme: largimin nga Berati, lindjen e një poezie të re dhe hyrjen e autorit në Lidhjen e Shkrimtarëve. Këto tri momente i japin librit një ritëm dhe e shndërrojnë atë në një nismë shtegtimi, ku bashkudhëtari i Kadaresë fiton një identitet të ri letrar e serioz.

Veç të tjerash, libri sjell disa tablo të spikatura e me domethënie të qarta, si vizita për urimin e lindjes së Besianës. Edhe pse e mbushur me pritshmëri mirësjelljeje, kjo skenë paraqet përmes një lenteje të qetë, kontrastin mes botës së pushtetarëve dhe thjeshtësisë së narratorit dhe bashkëshortes së Matos, Marias.

Përshkrimi i dhomës së vogël të pritjes, e mbushur me figura të njohura të sistemit, krijon një sfond të ftohtë ku bisedat kufizohen në detaje të jashtme, buzëkuq dhe parfume si shenja privilegji dhe largësie nga realiteti i zakonshëm. Në këtë kontekst, spikat ndjeshmëria e Marias-bashkëshortes së Matos, e cila nuk hyn në garën e luksit, por mbetet e tërhequr dhe autentike. Kështu, figura e saj del si kundërpeshë e natyrshme ndaj shoqërisë së pushtetit.

Më pas ngrihet në sfond përmes librit edhe marrëdhënia e ndërlikuar ndërmjet Kadaresë dhe Enver Hoxhës, duke i lexuar si dy figura të dala nga i njëjti truall kulturor, por të vendosur në role antagoniste: politikani i pushtetit absolut dhe shkrimtari që kërkon hapësirën e vet të lirisë për krijimtari. Rrëfimi e vendos skenën si dramë të brendshme pushteti, sikurse rrëfehet për hyrjen e Kadaresë në “Bllok”, pritjen e tensionuar, buzëqeshjet e qeta të Nexhmijes, fjalët e matura të diktatorit.

Të gjitha krijojnë një atmosferë të ngarkuar, ku nënteksti peshon më shumë se dialogu i shprehur. Prandaj, autori këtë rast e shfrytëzon përmes një kontrasti të qëndrueshëm midis miklimit dhe dyshimit. Enveri, i lodhur nga sëmundja, ka nevojë për shkrimtarin që t’u japë jetë kujtimeve të tij, por, në të njëjtën kohë, e sheh me sy kritik, i kujdesshëm për të mos e humbur kontrollin.

Dhurata e veprave të Balzakut merr peshën e një ftese të fshehtë për bashkëpunim, por edhe të një prove besimi. Kadareja, me intuitën e mprehtë të njeriut të letrave, e kupton lojën e pushtetit duke e ruajtur distancën e nevojshme.

Në kapitujt e fundit “Takimi i fundit”, “Janar 2024, (f. 244”) del një Mato i brishtë e nostalgjik, i cili përballet me humbjen e mikut, të cilën e përjeton si humbje të një pjese të vetvetes. Ndjenja e mirënjohjes dhe e respektit nuk e pengon të ruajë një ton të matur, të përmbajtur, me një ekuilibër midis dhimbjes dhe qetësisë që sjell koha.

Përmes një mënyre të kujdesshme përzgjedhjeje të episodeve, herë të ndritura e herë të mjegullta, Mato rrëfen, ndër të tjera, edhe filozofinë e tij për jetën dhe artin. Letërsia paraqitet si dëshmi dhe aventurë shpirtërore, ndërsa kujtimi nuk është vetëm arkiv, por një mënyrë për të kuptuar edhe vetveten.

Miqësia, nga ana tjetër, shfaqet si hapësirë besimi, por edhe si sfidë për të ruajtur sinqeritetin. Në këtë kuptim, libri mund të lexohet nganjëherë edhe si libër i dy portreteve të ndërlidhura: njëri i Kadaresë, mjeshtrit gjeni të fjalës dhe tjetri, i autorit që e ndjek, e analizon dhe e mat me jetën e vet. / Memorie.al