Në Shqipëri, pak figura politike kanë arritur ta kthejnë nënshtrimin ndaj udhëheqësit në formë arti si Erion Veliaj dhe, së fundmi, Ogerta Manastirliu. Të dy, në mënyra të ndryshme, janë produkt i të njëjtit laborator politik që mban firmën e Edi Ramës — një laborator që nuk prodhon kandidatë me identitet, por zëdhënës të devotshëm të vijës së partisë dhe të kultit të liderit. Në podcastin e fundit të Ramës, Manastirliu nuk foli si kandidate e PS për kryeqytetin, por si pasardhëse e një modeli nisur nga Veliaj: modeli i “besimit”, i “thirrjes në detyrë” dhe i kandidatit që, përpara se t’i përgjigjet qytetarëve, falënderon udhëheqësin që e ka zgjedhur.
Një rrëfim që fillon në një furgon
“Edi Ramën e njihja si ministër kulture… më intrigonte sepse nuk ishte si të tjerët,” rrëfen Manastirliu në podcast, me tonin e dikujt që kujton një takim që ndryshoi gjithçka. “Hipa në furgon dhe aty filloi rrugëtimi im.”
Në politikë, rrallë ndodh që një kandidat të idealizojë udhëheqësin e vet me kaq devocion. Por në Shqipëri, kjo nuk është më përjashtim – është rit kalimi.
Në këtë “furgon simbolik”, Rama shfaqet si protagonisti që zbulon, formëson dhe frymëzon. Manastirliu është dëshmitarja që pranon “thirrjen në detyrë”.
Nga Veliaj te Manastirliu: të njëjtët tinguj, zë tjetër
Kush e ka dëgjuar Erion Veliajn në vitin 2015, e njeh mirë këtë partiturë. Edhe ai fliste për Ramën si për njeriun që “e frymëzoi”, që “i dha vizionin” dhe që “e ndihmoi të shohë më gjerë se vetja”. Në çdo inaugurim, në çdo fjalim, Veliaj falënderonte “shefin”, përmendte “ëndrrën e nisur prej tij”, dhe e paraqiste Bashkinë e Tiranës si një projekt në pronësi të përbashkët: të Ramës dhe të tij.
Manastirliu nuk ishte aq teatrale në podcast, por është më e thellë në gjuhën e devocionit. Ajo nuk e glorifikon Ramën si frymëzues artistik – por si figurë përfshirëse, pothuaj shpëtimtare. “Historia ime është një histori besimi nga ju,” i thotë në podcast, me një ton që nuk i përket një bashkëbisedimi politik, por një rrëfimi personal.
Teatri i një marrëdhënieje
Podcasti funksionoi si një skenë teatrale melodramatike, ku Rama luajti rolin e mentorit, ndërsa Manastirliu të dishepulles. Nuk kishte debat, nuk kishte pyetje sfiduese – kishte kujtime, emocione dhe një dialog që synonte të shndërronte politikën në ndjenjë.
Kur Rama e quan “vajza që më bëri krenar si ministre shëndetësie”, tingëllon si bekim publik. Kur Manastirliu përgjigjet “ju më besuat një detyrë të paimagjinueshme”, tingëllon si betim. Dhe kështu, rrëfimi personal i kandidates bëhet instrument i një narrative më të madhe: për të treguar se çdo emër që del nga partia nuk është produkt i zgjedhjes qytetare, por i meritës brenda një hierarkie.
Tirana si provë e besnikërisë
Në fund, ky podcast nuk i foli qytetarëve për Tiranën – por Ramës për vetveten. Ishte një akt vetëpohimi për strukturën e pushtetit që ai ka ndërtuar: një model ku figurat nuk konkurrojnë, por dëshmojnë.
Veliaj e bëri këtë me zë të lartë, me energji dhe spektakël. Fundin e dimë të gjithë. E ndoshta për këtë Manastirliu sot u shfaq me ton të butë, me përulje dhe mirënjohje. Edhe pse mesazhi mbetet i njëjtë: në këtë sistem, besnikëria është më e vlefshme se ideja; mirënjohja më e fortë se autonomia; dhe “thirrja në detyrë” më e rëndësishme se vota.
Në një vend ku politika bëhet përmes rrëfimeve të besnikërisë, Tirana mbetet një dekor – një skenë ku këmbehen lavdërime, jo ide. Dhe në atë furgon që nisi rrugëtimin, Rama nuk është më ministër kulture – por autor i çdo skenari ku protagonistët janë të vetëdijshëm: historia e tyre nis dhe mbaron me të./vna