Ballina Editorial Ku po shkon Partia Demokratike e “rithemeluar”?

Ku po shkon Partia Demokratike e “rithemeluar”?

3
0

Nga Mirela Karabina 

Zgjedhjet e 11 majit dhe gara për Tiranën kanë ekspozuar krizën më të thellë në historinë e Partisë Demokratike.
E ashtuquajtura “PD e rithemeluar” ka humbur aftësinë për të prodhuar alternativë, besimin për të frymëzuar mbështetësit dhe për të qenë forcë reale përballë pushtetit, të cilin thotë se kundërshton.
Rezultati i zgjedhjeve të 11 majit ishte një goditje e rëndë për demokratët që prisnin ndryshimin, ndërsa premtimi i përsëritur për “rrëzimin e Ramës” në këto katër vite u shndërrua në një mashtrim politik qesharak dhe të konsumuar.
Gara për Tiranën ka treguar se PD e “rithemeluar” është jashtë funksionit politik real!
Nëse një forcë nuk ka për objektiv pushtetin dhe përfaqësimin e qytetarëve, cilin funksion ka ekzistencë të saj?!
Kryesia e PD-së është dorëzuar përballë realitetit duke relativizuar krizën dhe duke pretenduar se “zgjidhja” për Tiranën duhet të vijë nga një kandidat jo politik. Por vetëm pak muaj më parë, e njëjta kryesi akuzonte shoqërinë civile dhe partitë e vogla si të lidhura me pushtetin.
Ky ndryshim i menjëhershëm qëndrimi nuk tregon reflektim, por konfuzion dhe mungesë integriteti politik.
Në të njëjtën kohë dhe grupi parlamentar i PD-së nuk merr përgjegjësi zgjidhjeje duke mos respektuar kështu as zgjedhësit e saj.
Në të tilla kushte, Kryesia e partisë është mirë të japë dorëheqjen dhe të tjerë të marrin në dorë zgjidhjen, në të kundërt, bashkë me grupin e deputetëve do të mbeten një fasadë për të mbuluar boshllëkun e një partie të rrënuar nga brenda.
Tërheqja nga kandidimi për Bashkinë Tiranë dhe lejimi i figurave jashtë saj duke mohuar vetveten, nuk është risi, siç po duan ta justifikojnë por grahma e një partie që po shuhet.
Në teori, pranimi për kandidat për kryebashkiak i një figure qytetare jashtë partisë mund të shihet si hapje dhe frymë e re. Por në realitetin aktual tonin, ky veprim është shenjë e dobësisë strukturore dhe mungesës së lidershipit politik të PD-së.
Një parti që nuk arrin të prodhojë një figurë të vetën për garë elektorale, humbet identitetin dhe funksionin e saj si aktor politik.
Kështu, PD e “rithemeluar” po kërkon të kalojë lumin sërish, jo me forcën e ideve por duke përdorur emra të jashtëm për të mbuluar zbrazëtinë e brendshme të saj.
Dikur simbol i shpresës dhe ndryshimit për shqiptarët, PD është shndërruar sot në një strukturë të përçarë që ekziston më shumë si kujtim i së shkuarës sesa si forcë politike e gjallë.
Mungesa e koherencës në qendrime, njëherë thotë bojkot në zgjedhje e pastaj pjesëmarrje, njëherë thotë refuzim rezultati pastaj bën kompromise kanë krijuar perceptimin e një partie pa busull që ndjek ngjarjet, në vend që t’i drejtojë ato.
Krizat politike zakonisht nxjerrin figura të reja, por në rastin e PD-së së “rithemeluar” po ndodh e kundërta, mungesë totale e lidershipit dhe e ideve.
Nëse PD nuk arrin të përfaqësojë më demokratët dhe qytetarët dhe ka humbur misionin dhe shpresën si forcë opozitare, ajo rrezikon të kthehet në një fenomen historik të mbyllur, një kujtim i një epoke që po shuhet, një kujtim historik i tranzicionit shqiptar.