Nga Sidi Hasanaj
Në vetëm pak ditë qytetarit në Tiranë dhe në pesë bashkitë e tjera të vendit ku do të mbahen zgjedhjet e pjesshme lokale, iu tha nga partia kryesore e opozitës, Partia Demokratike dhe lidershipi i saj:
“Për Bashkinë e Tiranës na duhet një figurë përtej limiteve të PD, që të mbledhë më shumë vota se votat që mbledhim ne.”
Dhe votuesi i PD u përball me një shtangie të madhe:
Si ka mundësi që partia që mundi në zgjedhje Partinë e 50 viteve të diktaturës në 1991, që mundi Partinë Socialiste në 2005 dhe në 2009, që ka qeverisur 13 vite vendin… befas na thotë se nuk është më aq e madhe në përkrahjen mes qytetarëve sa të nxjerrë dikë nga radhët e saj për të fituar Bashkinë e Tiranës?
Si ka mundësi? Si arriti në këtë gjendje?!
Partitë e mëdha kanë pjesë integrale të ekzistencës së tyre si të tilla, karrierën dhe shkallët e saj i hypin duke u përballur në gara gjithnjë e më të mëdha e prestigjioze! Ky është modus operandi i një partie të madhe, ky është motivi pse individët i bashkohen asaj partie dhe nuk bëjnë “politikë” si të pavarur apo shoqëri civile, ushtarake apo edhe tregtare madje.
Berisha dhe PD i thanë votuesve të tyre se individët politikë të PD, që përfaqësojnë këtë forcë, nuk janë të vlefshëm dhe nuk fitojnë dot Bashkinë e kryeqytetit.
Votuesi mori mesazhin që politikanët e kësaj force nuk kanë vlerë dhe fuqi, dhe politikanët e kësaj force kuptuan se sa pak valencë kanë.
Së dyti, një “parti” e re me kryetar Agron Shehajn na tregoi se sa pak parti është, dhe se sa shumë është xhep i jashtëm i Partisë së S. Berishës.
Agron Shehaj u largua nga PD, shkoi në konflikt fizik në Kuvend me deputetët e PD… akuzoi Flamur Nokën, Gaz Bardhin, Gjekmarkajn etj. si përfaqësues të oligarkëve dhe bashkëaksionerë me ta në afera rrugësh korruptive (të dhëna nga mazhoranca socialiste) dhe papritmas… u thotë qytetarëve se me partinë që ka si numër dy Flamur Nokën, nr. Bardhin etj., që ai i akuzoi si njerëz të lidhur pazgjidhshmërisht me oligarkët dhe pushtetin socialist… do të bashkohet për të rrëzuar po vetë pushtetin socialist në Tiranë??!
Çfarë kllounade!
Ndërkohë PD, që përmes nënkryetarit të saj e akuzoi Agron Shehajn me publikime dokumentesh si bashkëpunëtor, aksioner në komplekse vilash me Erion Veliajn… sot u thotë votuesve që bashkë me këtë “bashkëpunëtor të Veliajt” do të bashkohet për t’ia marrë karrigen… Veliajt?
Dmth, sipas PD dhe Agron Shehajt:
Përfaqësuesit e korruptuar politikë e oligarkëve të përbashkët me Ramën (Noka e Bardhi) do të bashkohen me kukullën e Erion Veliajt (Shehajn) për të mundur Edi Ramën dhe për të marrë Bashkinë e Veliajt?
Çfarë cirku… i jashtëzakonshëm!
E meqë jemi te termi “i jashtëzakonshëm”, cirku vazhdon përsëri:
Shehaj, përfaqësues politikë të tij që para pak ditësh, teksa pozonin të zhveshura në festa beqarie, artikulojnë në media një argument:
“Këto janë zgjedhje të jashtëzakonshme, sepse për herë të parë kryetari i bashkisë ndodhet në burg për korrupsion, koha për fushatë është tepër e shkurtër, ndaj na duhet një ofertë e jashtëzakonshme, një kandidat jashtë partive.”
Çfarë marrëzie! Këto në fakt janë zgjedhjet më të “zakonshme” ndonjëherë!
Kryetari i bashkisë është në burg prej 10 muajsh, dhe opozita ka plot dhjetë muaj që e di që do të ketë zgjedhje të reja, që bën politikë me postin e kryetarit të bashkisë, që bën fushatë për këtë bashki… tjetër gjë se fushata e saj është vetëm negativiste dhe nuk i ka ofruar një kandidat qytetarit!
Janë zgjedhjet më normale, edhe sepse për herë të parë akuzat e opozitës për kryetarin e bashkisë (të korruptuar) janë përligjur tashmë nga drejtësia, dhe opozita po shkon para votuesve me provën që akuzat e saj nuk janë retorikë politike, por provë ligjore nga SPAK dhe gjykatat që kanë refuzuar lirimin e Veliajt.
A ka më zgjedhje normale, aspak të jashtëzakonshme se kaq për një opozitë??
Së treti, loja e pisët që u bë me kandidatët për Bashkinë Tiranë:
U (vetë)propozuan në fillim Dorian Teliti, e më pas Edi Paloka, Adriana Kalaja e në fund Klevis Balliu (i cili nisi dhe fushatën të dielën e kaluar duke vrapuar për 10 km si shenjë energjie), dhe më pas… këtyre emrave iu mbivendosën zhurmshëm Ermal Hasimja, znj. Çepani dhe dikush me mbiemrin Açka, por jo Flutura (që do të ishte tepër dinjitoze në fakt si kandidate).
Kaosi mediatik shpërtheu si stuhi në gotë, e në fund dje Berisha deklaroi se “kandidati duhet të dalë vetë të shpallë kandidaturën si i pavarur, dhe partitë opozitare do ta përkrahin në mënyrë univokale”.
Rezultati?
Në pak orë shpallën kandidaturat Ermal Hasimja, Florian Binaj, këtyre iu shtua dhe zyrtarizimi i Arlind Qorrit, ndërkohë që eksponentë të lartë të PD po bëjnë thirrje për të mbështetur Adrianën Kalanë ose Fatos Lubonjën në zgjedhjet e 9 nëntorit, dhe jo emrat sorosianë si Hasimja dhe të tjerët!
Çfarë ç’organizimi i organizuar! Çfarë kaosi!
Çfarë trullosjeje për votuesin opozitar!
E përse ky ç’organizim i organizuar kaq pisët??
Sepse të gjithë fitojnë, përveç qytetarëve!
Berisha lan duart me humbjen që e pret në 9 nëntor, qëndron i palëkundur në krye të PD, shkatërron këdo rival të mundshëm apo zë kundër brenda radhëve të veta dhe mbretëron i qetë në biznesin multimilionësh të kullave të opozitës!
Agron Shehaj shitet si “shpëtimtari” në tentativë që po “sakrifikon” nga vetja duke bashkëpunuar me PD për hir të opozitës, ndërkohë që fiton kredenciale politike falë kësaj “sakrifice”…
Çfarë kllounade, e çfarë palaçosh!
Por humbet votuesi opozitar që i serviren një mori kandidatësh, humbet qytetari që do të rrëzojë PS-në nga Bashkia e Tiranës dhe pse jo edhe Vlorës, humbasin figura si Hasimja dhe Çepani që kanë simpati dhe potencial… humbasin gjithë ata/ne që duam vërtetësisht të mundim të keqen dhe korrupsionin; fitojnë një grusht politikanësh intrigantë që opozitën e kanë asgjë veçse biznes, dhe në finale fiton ai: Edi Rama