Ndërsa opozita ka mbetur në udhëkryq një muaj para zgjedhjeve, duke mos gjetur ende një kandidat, disa emra jo politikë janë vetëofruar për të kandiduar me mbështetjen e saj. Deri më tani, emrat që kanë shprehur interes që të dalin me mbështetjen e opozitës janë Ermal Hasimja, Florian Haçkaj dhe Agron Haxhimali.
Problemi kryesor duket të jetë tek forca më e madhe opozitare, Partia Demokratike, e cila jo vetëm nuk ka kandidat, por nuk bie dakord as me propozimet e partive të tjera opozitare. Këto të fundit propozojnë emra jo politikë si kushtin kryesor për të dalë me një alternativë për zgjedhjet e 9 nëntorit.
Deri tani, në listën e kandidatëve që kanë shprehur dëshirën për të kandiduar përfshihet pedagogu dhe analisti politik Ermal Hasimja. Ai ka ndërtuar një profil të qëndrueshëm si një zë kritik dhe i argumentuar në diskursin publik, duke qenë aktiv si në media ashtu edhe në botën akademike. Në karrierën e tij, Hasimja ka qenë pjesë e Komitetit të Orientimit të Politikave (KOP) gjatë fushatës së vitit 2005, që solli Partinë Demokratike në pushtet.
Një tjetër emër është Florian Haçkaj, i njohur në opinionin publik përmes lëvizjes “Diaspora për Shqipërinë e Lirë”. Ai është një nga themeluesit e kësaj lëvizjeje, e cila ishte aktive edhe në zgjedhjet e 11 majit, ku për herë të parë u zbatua vota e diasporës. Haçkaj ka eksperiencë menaxheriale në kompani ajrore, transport mallrash luksi dhe siguri kibernetike, duke drejtuar ekipe shitjesh.
Pedagogu Agron Haxhimali është emri i radhës që ka shprehur interes për të kandiduar, nëse merr mbështetjen e opozitës. Ai vjen nga bota e shoqërisë civile dhe është drejtor i Institutit për Bashkitë Shqiptare. Haxhimali është autor studimesh mbi pushtetin vendor dhe reformat e decentralizimit.
Në garën për kryeqytetin pritet që t’i bashkohen edhe kandidatë të pavarur, si aktori dhe komediani Florian Binaj. Kandidaturën e tij e shpalli përmes një statusi në Facebook, duke kërkuar votën e qytetarëve të Tiranës pa mbështetjen e ndonjë partie politike. Binaj është aktor dhe moderator i njohur për publikun shqiptar. Në politikë është përfshirë kur u themelua Lëvizja “Shqipëria Bëhet” së bashku me Lapajn dhe Çepanin, por u largua shumë herët prej saj.
Deri më tani, e vetmja forcë politike që ka konfirmuar kandidaten është Partia Socialiste, me ish-ministren e Shëndetësisë dhe Arsimit, Ogerta Manastirliu.
Gjithashtu, nga forcat opozitare më e qartë është “Lëvizja Bashkë”, e cila nuk pranon të bashkëpunojë me partitë e tjera opozitare dhe është e vetmja që ka shpallur kandidatin. Kryetari i saj, Arlind Qori, do të kërkojë për herë të dytë votën e kryeqytetasve.
Emri tjetër që diskutohet është juristja dhe aktivistja Edlira Çepani, e cila ende nuk ka konfirmuar nëse dëshiron të jetë kandidate. Ajo ka qenë pjesë e partisë “Shqipëria Bëhet” në fillimet e kësaj force politike, por u shkëput pas një kohe të shkurtër. Disa burime thonë se është kandidatja më e pranuar nga PD, ndërsa ka edhe mbështetjen e lëvizjes që themeloi bashkë me Adriatik Lapajn./vna