Ballina Kulturë Në kujtim të aktorit Italian Remo Gerone

Në kujtim të aktorit Italian Remo Gerone

25
0

Nga Mimoza Dajçi

Pak ditë më parë shtypi italin njoftoi se aktori i njohur italian Remo Girone ndërroi jetë në mënyrë të papritur në moshën 76-vjeçare, në shtëpinë e tij në Monako, ku jetonte prej vitesh me bashkëshorten, Vittoria Zinny.

Si dashamirëse e artit italian pata kënaqësinë të takohem me aktorin Remo Girone nëntorin e vitit 2018 në Romë. Girone ka pasur një karrierë të suksesshme si në televizion ashtu edhe në kinematografi, por në kujtesën italiane e popullit shqiptar mbahet mend për serialin e famshëm “La Piovra 3”, ku interpretoi rolin e “urryer” të Tano Caridit.

Po udhëtoja me avion nga SHBA për në Shqipëri. Në aeroportin Fiumicino të Romës, tranzit për në Tiranë. Aeroport që ka fituar Çmimin si më i miri në Europë. Rastësisht takova e fola nga afër me aktorin italian Remo Girone, të famshmin Tano Caridi tek seriali italian “La Piovra”. Do të ishte protagonist në filmin e ri shqiptaro – italian të regjisorit Namik Ajazi “Portreti i pambaruar i Clara Bellinit”. Film i cili tashmë ka fituar disa Çmime të Arta në Gjermani dhe në Itali.

Sipas aktorit Girone, xhirimet e filmit kishin filluar dhe ai së bashku me bashkëshorten Victoria Zinny, prezantohen në rolin e një familje diplomatësh italianë në Shqipëri gjatë periudhës së komunizmit. Regjisori Namik Ajazi, edhe ai i prekur direkt politikisht, së bashku me skenaristin Ruzhdi Pulaha dhe një grup aktorësh shqiptarë e italianë, do të bënin të njohur për publikun një histori të parealizueshme dashurie gjatë viteve të diktaturës. Bëhej fjalë për histori dashurie mes një djali shqiptar dhe vajzës së një diplomati të lartë Italian.

Ngjarjet i përkisnin fund viteve ’70, fillim i ’80-ës dhe krahas historisë së dy të rinjve, do të vendoseshin ngjarje të viteve të vështira të kohës së diktaturës komuniste në Shqipëri. Duke iu referuar edhe shtypit shqiptar, për të arritur në këtë histori të dhimbshme, regjisori Ajazi ka punuar për gati tre vite dhe ka bërë kërkime në ish-Arkivën e Ministrisë së Brendshme. Është mbështetur në katër histori të vërteta, njëra prej të cilave i qaset më shumë asaj të filmit.

Sipas Ajazit aty nuk mund të flitet për personazhe realë, pasi ka marë copëza nga disa syresh. Po sipas medias shqiptare regjisori Ajazi thotë se: “Nuk dua që askush të identifikohet me personazhet e filmit. Por është një histori e vërtetë që i bën homazh atyre ngjarjeve të dhimbshme, romancave të ngelura përgjysmë, idileve të prera në mes nga ana e regjimit, i cili nuk të falte”.

Është homazh për të gjithë ata njerëz që kanë kaluar nëpër situata të tilla. Disa nuk jetojnë më, disa tashmë janë gjyshër”, ka thënë Ajazi në një intervistë të tij, teksa shton se përzgjedhja e temave nga e kaluara komuniste vjen si një detyrim karshi një brezi që përjetoi kohëra të vështira, por edhe për t’i treguar brezit të ri se ç’kanë qenë ato vite”.

Dhe sigurisht regjisori Ajazi ka prekur një ngjarje tepër delikate të jetës në diktaturë, pasi gjatë atyre viteve të zymta ka pasur shumë dramë, divorce si në dashurinë e të rinjve ashtu edhe gjatë viteve pasmartesore, për shkak “biografie” e luftës së klasave shumë çifte u ndanë duke rritur fëmijët jetim me prindër gjallë.

Përzgjedhja aktorëve përbënte një surprizë më vete. Ajazi kishte sjellë në Tiranë aktorin Remo Girone së bashku me aktoren Victoia Zinny që do të interpretonin prindërit e vajzës.

Beatrice Aiello, një aktore e re italiane në rolin e protagonistes, po ashtu interpreton edhe Marta Gastini. Roli kryesor i ishte besuar të riut shqiptar që jetonte në Firenze, Anton Kodrinaj. Filmi u mbështet nga QKK, Ministria Italiane e Kulturës dhe Eurimages.

Duke dëgjuar nga aktori Girone rreth skenarit të këtij filmi, një nga këto episode më ktheu në kujtesë miken time italiane Jola Tahmizi, që fatkeqësisht nuk jeton më, ish anëtare e Kryesisë së Shoqatës së Gruas ish të Persekutuar Politike të Shqipërisë, ku edhe unë kam dhënë kontributin tim vite me rradhë edhe pranë kësaj shtrese deri ditën që u largova për në SHBA. E kam njohur nga afër Jolën, i ati kishte qenë Konsull i Italisë në Vlorë. Për shkak të veshjes së saj “moderne” kishte rënë në sy të policisë sekrete shqiptare dhe sigurimi i shtetit e arrestoi në moshë tepër të re.

Sa herë vajza e re me emrin Jola shkonte në Tiranë, luante tenis veshur me një fund të shkurtër të bardhë me pala të vogla dhe bënte shëtitje – xhiro duke mbathur patinat rrëshqitëse. Kjo pamje ekstravagante e saj përbënte rrezik për regjimin e kohës. Shfaqje e huaj, paçka se Jola ishte e huaj, në dhe të huaj. Vetëm për fundin e bardhë e të shkurtër që mbante veshur dhe rrëshqitjen me patina, e arrestojnë dhe e dënojnë për agjitacion – propagandë.

Një rast tjetër që kam njohur nga afër, Maria Dvorani, e cila la studimet e larta në Itali dhe kthehet në atdhe për tu gjendur pranë atdheut gjatë pushtimit fashist. Ndërkohë njihet e martohet me një inxhinier italian, që kish mbetur pas lufte në Shqipëri. Për këto veprime të ndaluara sigurimi i shtetit e arreston dhe e burgosin si armike e popullit. Edhe me Marien jam njohur pranë kësaj Shoqate. Ishin gra inteligjente, poete, shkrimtare, tolerante e tepër humane.

Gra heroina që me dinjitet të lartë sfiduan diktaturën më të egër në Europë. Ishin bashkëvuajtëse e mike burgu politike me heroinën Muisne Kokalari, të cilat shpesh më tregonin ngjarje të atyre vuajtjeve të rënda e torturave çnjerëzore që kishin përjetuar nëpër birucat e diktaturës. Jeta dhe vepra e të cilave u përjetësua në lartësi me dimensionin e lirisë.

Duke u kthyer sërish tek aktori i madh italian Remo Girone që së bashku me bashkëshorten e tij Victoria Zinny, ju bashkuan këtij projekti dramatiko – artistik për vendin tonë, i pushoftë shpirti në paqe!