Nga Arian Galdini
Në prag të zgjedhjeve të 9 nëntorit, Shqipëria gjendet përballë një prove që nuk është thjesht elektorale, por ekzistenciale për vetë kuptimin e opozitës dhe të demokracisë.
Spektri politik është kthyer në arenë simulakrash: shfaqje televizive, role të shpërndara, retorikë të kontrolluar.
Qytetari ndihet spektator, jo aktor.
Pikërisht këtu del domosdoshmëria e një doktrine të re, një të djathte që ngrihet mbi Shqiptarizmin si etikë, si busull, si arkitekturë morale dhe si vizion gjeostrategjik.
Carl Schmitt kujtonte se politika nis aty ku shpallet armiku.
Opozita shqiptare, e shndërruar në koreografi të paracaktuar, ka harruar ta emërtojë armikun, kapjen e shtetit, klientelizmin, korrupsionin e strukturuar.
Një e djathtë e re duhet të thyejë këtë mur, duke rikthyer besën si themel politik.
Siç e ka argumentuar filozofi konservator Roger Scruton, konservatori është mbi të gjitha “mik i shtëpisë”, ai që ruan themelet, kujdeset për rendin dhe mban besën si kontratë ndërbreznore.
Pa këtë besë, çdo opozitë mbetet hologram.
Kombëtarizmi si vizion gjeostrategjik
Në dekadën e fundit, mendimtarë si Yoram Hazony (The Virtue of Nationalism, 2018) dhe Patrick Deneen (Why Liberalism Failed, 2018) kanë ngritur shqetësimin se globalizmi i shfrenuar ka çliruar tregje, por ka rrënuar komunitete.
Për Shqipërinë, kjo çështje merr përmasa ekzistenciale, një vend pa shtet-komb të fortë mbetet pa zë në Evropë.
Shqiptarizmi duhet të përkthehet në vizion gjeostrategjik, Shqipëria si shtyllë e stabilitetit në Ballkan, si nyje e besueshme në NATO, dhe si komb që kontribuon në sigurinë e përbashkët euroatlantike jo duke humbur identitetin, por duke e ofruar si kapital politik.
Prindërimi si shtylla e konservatorizmit shqiptar
Një konservatorizëm i ri nuk mund të ngrihet mbi slogane, por mbi familjen si qelizë e parë e politikës. Siç argumenton Mary Eberstadt (Primal Screams, 2019), kriza e identitetit modern lidhet me shthurjen e strukturave të familjes dhe me humbjen e figurës prindërore.
Në Shqipëri, kriza demografike dhe emigracioni i pandalshëm po e zbrazin kombin.
Një e djathtë shqiptare duhet të kthejë prindërimin në prioritet shtetëror, mbështetje reale për nënat, arsim që edukon karakterin, politika ekonomike që i japin familjes siguri.
Familja është vetë themeli i shqiptarizmit, aty trashëgohet besa, aty ruhet gjuha, aty ushqehet shpresa.
Ekonomia konservatore dhe vizioni i punës
Ekonomia e re konservatore, siç e ka theksuar Dani Rodrik (Better Jobs Mean Better Development, 2023), nuk matet vetëm me rritje të PBB-së, por me krijimin e punëve të mira që japin siguri dhe dinjitet. Për Shqipërinë kjo përkthehet në një program të qartë, zhvillim të zinxhirëve rajonalë të furnizimit, turizëm të integruar me identitetin kulturor, agropërpunim që shndërron tokën në kapital kombëtar dhe industri kreative që eksportojnë kulturë. Shqiptarizmi ekonomik është pikërisht ky, të kthejë identitetin dhe traditën në avantazh krahasues.
Besimi si kapital politik dhe shoqëror
OECD (2024) thekson se besimi në institucione është valuta më e rëndësishme e qeverisjes. Në Shqipëri, mungesa e besimit ka bërë që çdo politikë të duket farsë.
Një opozitë që ndërton besim është opozita që heq dorë nga paketat e komunikimit dhe flet me gjuhë të thjeshtë, të drejtë dhe të hapur. Institucionet fitojnë besim kur janë si “libra të hapur” dhe kur fjala e tyre matet me dritë. Pa këtë kthim tek e vërteta, çdo program bie si propagandë.
Doktrina e një opozite të re
Në prag të 9 nëntorit, e djathta shqiptare nuk ka nevojë për spektakël të ri televiziv, por për një doktrinë të qartë:
Shqiptarizmi si identitet dhe busull kombëtare.
Kombëtarizmi gjeostrategjik që e vendos Shqipërinë si shtyllë të NATO-s dhe faktor në BE.
Prindërimi si themel i politikave sociale dhe demografike.
Ekonomia e punëve të mira që e kthen identitetin në kapital zhvillimi.
Besimi si kontratë e re mes shtetit dhe qytetarit.
Ky është vizioni që bashkon opozitën përtej emrave, përtej paneleve dhe përtej fasadave.
Nuk mjafton një “kandidat i pastër” në ekran.
Nevojitet një doktrinë e pastër në themel.
Jean Baudrillard paralajmëronte se epoka e simulakrave shuan vetë realitetin.
Në Shqipëri, opozita është kthyer në hologram, flet për të reja, por shfaq të vjetrat, flet për bashkim, por ngre ndarje, flet për liri, por mbetet spektakël.
Shqiptarizmi si doktrinë e re është thirrja për ta thyer këtë mur, për ta kthyer opozitën nga hologram në trup real, nga fasadë në themele, nga spektakël në shërbesë.
Siç thoshte Edmund Burke, politika është kontratë e shenjtë mes të gjallëve, të shkuarve dhe të palindurve.
Shqiptarizmi i jep kësaj kontrate frymë, besë dhe vizion.
Dhe vetëm mbi këtë kontratë mund të ngrihet një e djathtë e re, që i shërben Shqipërisë jo si pasqyrë, por si shtëpi e vërtetë.