Përpjekjet e shpëtimit janë duke u zhvilluar në shpatet e largëta tibetiane të malit Everest, ku një stuhi dëbore ka bllokuar gati 1,000 njerëz në kampe në anën lindore të malit, sipas mediave shtetërore kineze.
Qindra fshatarë vendas dhe ekipe shpëtimi janë vendosur për të pastruar borën që bllokon hyrjen në zonë, e cila ndodhet në një lartësi prej më shumë se 4,900 metrash.
Mediat kineze thanë se disa turistë janë shpëtuar tashmë.
Reshjet e dendura të dëborës filluan të premten në mbrëmje dhe janë intensifikuar në shpatet lindore të malit Everest në Tibet, një zonë e njohur për alpinistët dhe shëtitësit.
Ekipi i Shpëtimit Blue Sky i Tibetit kishte marrë një telefonatë për ndihmë ku thuhej se tendat ishin shembur për shkak të borës së madhe dhe se disa alpinistë po vuanin nga hipotermia, raportuan mediat shtetërore kineze.
Kompania e Turizmit e Qarkut Tingri pezulloi shitjen e biletave dhe hyrjen në Zonën Pamore të Everestit nga e shtuna, sipas agjencisë së lajmeve Reuters.
Rajoni po përballet me mot ekstrem për momentin, pasi Nepali fqinj është goditur nga shira të rrëmbyeshëm që shkaktuan rrëshqitje dheu dhe përmbytje të menjëhershme që kanë rrëzuar ura dhe kanë vrarë të paktën 47 persona në dy ditët e fundit.
Në Kinë, tajfuni Matmo ka mbërritur në tokë, duke detyruar rreth 150,000 njerëz të evakuohen nga shtëpitë e tyre.
Mali Everest është maja më e lartë në botë me mbi 8,849 metra. Edhe pse shumë njerëz përpiqen ta ngjiten në majë çdo vit, ajo konsiderohet një ngjitje tepër e rrezikshme.
Në vitet e fundit është përballur me shqetësime për mbipopullim, shqetësime mjedisore dhe një sërë përpjekjesh fatale për ngjitje.