Një ngjarje e rëndë ka tronditur mbrëmjen e së shtunës Universitetin Shtetëror të Karolinës së Jugut, ku si pasojë e një sulmi me armë mbeti e vrarë një grua dhe u plagos një burrë. Ngjarja ka ndodhur gjatë një koncerti të mbajtur brenda kampusit universitar, duke shkaktuar panik në mesin e studentëve dhe pjesëmarrësve.
Sipas një deklarate zyrtare të Drejtorisë së Zbatimit të Ligjit të Karolinës së Jugut (SLED), të shtënat ndodhën në ambientet e kampusit. Autoritetet konfirmuan se viktima ishte një femër, ndërsa personi i plagosur është një mashkull, i cili ndodhet nën kujdesin e mjekëve dhe është jashtë rrezikut për jetën.
Policia ka njoftuar se identiteti i viktimës ende nuk është bërë publik, ndërsa hetimet për zbardhjen e ngjarjes vijojnë intensivisht. “Të shtënat nuk besohet të jenë të lidhura me dy raste të tjera të ngjashme, megjithatë hetimet do të vazhdojnë,” – thuhet në deklaratën e SLED.
Pas incidentit, i gjithë kampusi universitar është izoluar, ndërsa forcat e rendit kanë vendosur shirita sigurie rreth zonës ku ndodhi ngjarja. Në rrjetet sociale janë shpërndarë video ku shihet prania e madhe e policisë dhe automjeteve emergjente brenda perimetrit të universitetit.
Universiteti ka lëshuar një njoftim urgjent për studentët, duke u kërkuar atyre të qëndrojnë brenda ambienteve të sigurta dhe të mos lëvizin derisa të jepet një urdhër i ri. Gjithashtu, është ndaluar hyrja në kampus për personat që nuk janë pjesë e institucionit.
Nga ana tjetër, deputetja republikane Nancy Mace, përmes një deklarate të postuar në platformën “X”, ka shprehur keqardhjen për ngjarjen dhe ka bërë thirrje për kujdes dhe bashkëpunim me autoritetet.
“Zemrat tona janë me studentët, stafin dhe familjet e prekura. Këshilloj të gjithë në kampus të ndjekin udhëzimet e forcave të rendit,” – shkroi Mace.
Drejtoria e Zbatimit të Ligjit të Karolinës së Jugut ka bërë apel për këdo që ka informacion në lidhje me ngjarjen, të kontaktojë menjëherë zyrat e saj për të ndihmuar në hetim.