Bashkimi Evropian pritet të miratojë rregulla të reja që do ta bëjë më të lehtë pezullimin e liberalizimit të vizave për shtetasit e vendeve të treta që udhëtojnë në bllok, një masë që shënjestron kryesisht Gjeorgjinë në mes të sinjaleve se Tbilisi po largohet nga reformat demokratike dhe po kthehet drejt sferës së ndikimit të Moskës.
Parlamenti Evropian pritet që më 7 tetor të miratojë këtë legjislacion të ri, ndërsa shtetet anëtare të BE-së do ta bëjnë të njëjtën gjë më 17 nëntor dhe rregulla të reja pritet të hyjnë në fuqi në dhjetor.
Masat do të zbatohen për të gjitha 61 shtetet që gëzojnë regjimin pa viza me bllokun, përfshirë edhe të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor që aspirojnë të anëtarësohen në BE, si dhe Moldavinë dhe Ukrainën. Por, diplomatët evropianë e pranojnë se rregullat e reja të propozuara, të paktën pjesërisht, kanë për cak një tjetër shtet që ende gëzon liberalizimin e vizave me BE-në: Gjeorgjinë.
Republika e Kaukazit të Jugut prej kohësh ka përplasje me Brukselin, pasi Tbilisi miratoi vitin e kaluar një legjislacion kundër komunitetit LGBT dhe të ashtuquajturin ligj për “agjentët e huaj” – një legjislacion i ngjashëm është përdorur nga Kremlini për të shtypur lirinë e shprehjes dhe shoqërinë civile – pavarësisht kritikave të ashpra nga BE-ja.
Raportet u përkeqësuan edhe më shumë pas zgjedhjeve parlamentare të mbajtura tetorin e vitit të kaluar, në të cilat partia në pushtet, Ëndrra Gjeorgjiane, arriti të mbajë pushtetin në mënyrë kundërthënëse dhe më pas vendosi të pezullojë bisedimet e anëtarësimit, duke miratuar politika që shumëkush – përfshirë Brukselin – i shohin si proruse.
Kjo situatë nxiti protesta masive, të cilat u shtypën me dhunë nga autoritetet. Zgjedhjet lokale të mbajtura gjatë fundjavës, ku Ëndrra Gjeorgjiane e forcoi edhe më shumë kontrollin e saj mbi pushtetin, nxitën sërish protesta. Policia reagoi duke përdorur topa uji për të shpërndarë turmat dhe këto protesta, sipas zyrtarëve, ishin “një grusht shteti i planifikuar nga shërbimet e huaja të inteligjencës”.
Protesta të tjera pritet të mbahen në Tbilisi më 6 tetor.
Që nga zgjedhjet e tetorit të vitit 2024, BE-ja është përmbajtur nga kontaktet në nivel të lartë politik dhe ka lehtësuar procedurat që shtetet anëtare të vendosin kufizime kombëtare të vizave për zyrtarët e lartë gjeorgjianë.
Megjithatë, Brukseli ka dështuar që të vendosë sanksione ndaj politikanëve të nivelit të lartë në Gjeorgji, pasi Hungaria dhe Sllovakia vazhdimisht kanë vendosur veto ndaj këtij vendimi i cili kërkon unanimitet nga 27 vendet anëtare.
Në vend të sanksioneve, BE-ja e ka shqyrtuar mundësinë e pezullimit të regjimit të vizave për shtetin – vendim që ka hyrë në fuqi më 2017 – pasi kjo masë nuk kërkon unanimitet.
Komisioni Evropian ka paralajmëruar Qeverinë gjeorgjiane për këtë çështje përmes një letre dërguar në korrik, duke kërkuar një sërë sqarimesh deri në fund të gushtit. Tbilisi u përgjigj, por sipas disa zyrtarëve të BE-së, Brukseli ishte i pakënaqur me përgjigjen.
Në ndërkohë, shtetet anëtare të BE-së dhe Parlamenti Evropian gjatë gjysmës së parë të vitit 2025 kanë negociuar për rregullat e reja për të aktivizuar mekanizmin për pezullimin e liberalizimit të vizave, i cili mund të përdoret ndaj Gjeorgjisë më vonë gjatë këtij viti.
Rregullat e reja parashohin mënyra të reja për të aktivizuar këtë mekanizëm.
Arsyet aktualisht lidhen me çështje klasike të “punëve të brendshme”, si numri më i madh i shtetasve nga një vend që gëzon udhëtimin pa viza që qëndrojnë më gjatë se 90 ditë të lejuara në bllokun evropian, ose përdorin këtë mundësi për të kërkuar azil në BE.
Një arsye e re për pezullimin përfshin edhe mungesën e përafrimit të regjimit pa viza të një shteti me politikën e vizave të BE-së.
Një shembull i kësaj do të ishte një shtet që ka regjimin pa viza me BE-në dhe po ashtu ofron lëvizje pa viza për shtetasit rusë. Me Brukselin që synon të kufizojë hyrjen e shtetasve rusë, legjislacioni i ri do t’i mundësojë BE-së të mbyllë një rrugë të mundshme alternative drejt bllokut.
Një tjetër arsye për pezullim është nëse një vend i tretë menaxhon një skemë shtetësie për investitorët, e njohur si “pasaporta e artë”. “Kërcënimet hibride” janë kriteri i tretë i ri.
Kjo mund të jetë diçka e ngjashme me atë që BE-ja e quan “instrumentalizim i sponsorizuar nga shteti i migrantëve” – një shembull është Bjellorusia (e cila nuk gëzon liberalizim vizash me BE-në) që me avion dërgon njerëz nga Azia dhe Afrika në Bjellorusi dhe më pas i shtyn ata drejt kufijve të Letonisë, Lituanisë dhe Polonisë.
Por, arsyeja e katërt duket se shënjestron liberalizimin e vizave të Tbilisit: përkeqësimi i raporteve të jashtme të BE-së me një shtet të tretë, veçanërisht kur bëhet fjalë për të drejtat e njeriut dhe liritë themelore.
Ka edhe disa ndryshime të tjera të rëndësishme në rregullat për pezullimin e liberalizimit të vizave.
Pezullimi i liberalizimit të vizave gjithmonë në fillim është i përkohshëm. Në legjislacionin aktual, pezullimi i përkohshëm zgjat nëntë muaj dhe mund të zgjatet edhe për 18 muaj të tjerë.
Në propozimin e ri, pezullimi fillestar do të jetë 12 muaj dhe zgjatja 24 muaj, duke bërë që koha totale e pezullimit të arrijë në tre vjet. Diplomatët e BE-së thanë se kjo bëhet për t’i dhënë kohë shtesë Komisionit Evropian për t’u angazhuar me shtetet e treta për të adresuar çdo çështje.
Por, është edhe një ndryshim që në mënyrë specifike e shënjestron Gjeorgjinë.
Sipas ligjeve aktuale, pezullimi i përkohshëm i liberalizimit të vizave mund të kufizohet vetëm për vendimmarrësit, sikurse janë ministrat dhe zyrtarët e tjerë, ndërkaq periudha e zgjatjes së pezullimit prek të gjithë popullsinë e vendit.
Sipas rregullave të reja, e gjithë popullsia mund të mbetet e paprekur gjatë gjithë pezullimit trevjeçar, duke kursyer kështu qytetarët e zakonshëm.
Kjo është e rëndësishme për Gjeorgjinë, pasi shumë zyrtarë në Bruksel janë të kujdesshëm që të mos e godasin popullsinë me diçka që ata e shohin si përgjegjësi të Qeverisë. Qytetarët e zakonshëm do të preken vetëm nëse shteti i tyre nuk hiqet nga lista e vendeve me udhëtim pa viza pas periudhës trevjeçare.
Vlen të theksohet se për një pezullim të përkohshëm, Komisioni Evropian mund të marrë vetë vendim, pa pasur nevojë që Parlamenti Evropian të votojë apo shtetet evropiane të pajtohen për një gjë të tillë.
Megjithatë, është praktikë e zakonshme që Komisioni të konsultohet me kryeqendrat. Një shumicë e kualifikuar (55 për qind e shteteve anëtare të BE-së që përbëjnë 65 për qind të popullsisë totale të bllokut) kërkohet për të hequr regjimin pa viza të një vendi me BE-në.
Radio Evropa e Lirë ka mësuar se deri në 19 shtete anëtare do ta konsideronin që ta mbështesnin të paktën një pezullim të përkohshëm.