Ballina Kuriozitete “Ferri mistik” i Napolit: Stacioni i trenit që duket si një portal...

“Ferri mistik” i Napolit: Stacioni i trenit që duket si një portal për një botë tjetër

21
0

Brenda qytetit të Napolit, stacioni i ri i trenit Monte Sant’Angelo duket më shumë si një hapësirë fantastike sesa një vend për të kapur trenin, shkruan Daily Mail. I njohur me emrin “Ferri Mistik”, ky stacion është krijuar nga skulptori me famë botërore Anish Kapoor, i cili qëndron pas veprave të njohura si Cloud Gate në Çikago dhe Kulla e Parkut Olimpik në Londër.

Ideja për të projektuar këtë stacion lindi që në vitin 2003, por më shumë se 20 vjet më vonë, stacioni ka hapur dyert e tij dhe ka mahnitur udhëtarët me dizajnin e jashtëzakonshëm. Hyrja kryesore është e mahnitshme: një portë e madhe ovale nga çeliku i gërryer që duket si hyrje në një botë të nëndheshme. Brenda saj, shkallët lëvizëse zbresin në platforma ku, megjithëse treni duket normal, atmosfera dhe struktura e stacionit krijojnë një përvojë unike vizuale.

“Në qytetin e malit Vezuv dhe hyrjes mitike të Dantes në Ferr, desha të eksploroja se çfarë do të thotë të shkosh nën tokë,” ka thënë Kapoor.

Por stacioni nuk është vetëm një dizajn për sytë, ai është pjesë e një projekti të madh të rigjenerimit urban dhe kulturor të Napolit. Ndodhet pranë kampusit të Universitetit të Napolit, Federico II, dhe lidh pjesët perëndimore të qytetit me qendrën, duke komunikuar me linjat hekurudhore Cumana dhe Circumflegrea, si dhe funikularin Montesanto dhe linjën 2 të metrosë.

Stacioni ofron dy hyrje mbresëlënëse: hyrja kryesore universitare që ngrihet nga toka dhe hyrja Traiano, e përdridhur me çelik të lëmuar, duke e bërë çdo udhëtim në tren një eksperiencë që duket si një udhëtim në një dimension tjetër.

Ky stacion i bashkohet koleksionit në rritje të stacioneve europiane të metrosë që duket se kanë dalë nga një botë tjetër, si stacioni shumëngjyrësh Olaias në Lisbonë dhe Westminster Tube në Londër./Daily Mail