Ballina Ekonomia Nisin aplikimet pranë bankave për kredinë me Garanci Sovrane për fermerët

Nisin aplikimet pranë bankave për kredinë me Garanci Sovrane për fermerët

26
0

Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural (AZHBR) njofton se ka nisur procesi i aplikimeve për Kredinë e butë me Garanci Sovrane, një mundësi financimi e dedikuar për fermerët dhe agrobizneset, që synojnë të investojnë në sektorët prioritarë të ekonomisë rurale.

Sipas AZHBR-së, aplikimet për Kredinë e Butë me Garanci Sovrane kryhen pranë bankave të nivelit të dytë deri më 20 nëntor 2025.

“Të gjithë fermerët, sipërmarrësit ruralë dhe agrobizneset, që kanë një plan investimi konkret në një nga fushat: Bujqësi; Blegtori; Agropërpunim; Mekanizim bujqësor;
Turizëm rural; Akuakulturë detare, mund të drejtohen pranë bankave të nivelit të dytë për të aplikuar dhe përfituar: kredi të butë me normë interesi 2% dhe Garanci Sovrane me 70 % kolateral”, njofton AZHBR-ja.

Ky instrument financiar u vjen në ndihmë investimeve në zonat rurale, duke ofruar lehtësi të konsiderueshme në aksesin në kredi, falë mbështetjes shtetërore.

Aplikimet bëhen drejtpërdrejt pranë bankave të nivelit të dytë që janë pjesë e kësaj skeme bashkëpunimi me AZHBR-në. Fermerët dhe bizneset duhet të paraqesin:
• Planin e investimit
• Dokumentacionin ligjor dhe financiar të kërkuar nga banka
• Të dhëna mbi aktivitetin bujqësor/agrobiznesin

AZHBR i bën thirrje të gjithë të interesuarve që të përfitojnë nga kjo mundësi për të zhvilluar dhe modernizuar aktivitetin e tyre në sektorin rural. Kredia e butë me garanci sovrane është një mbështetje reale për të rritur prodhimin, përmirësuar infrastrukturën dhe shtuar vlerën e produkteve vendase.