Ballina Politika PD kërkon interpelancë urgjente me Edi Ramën për takimin në Arubë dhe...

PD kërkon interpelancë urgjente me Edi Ramën për takimin në Arubë dhe lidhjet me Artur Shehun

17
0

Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka kërkuar zyrtarisht zhvillimin e një interpelance urgjente me Kryeministrin Edi Rama, në përputhje me Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit, për të dhënë shpjegime lidhur me ndikimin e krimit të organizuar në ekonomi dhe fuqizimin e tij përmes fondeve, licencave dhe lejeve publike.

Në kërkesën e nënshkruar nga Gazment Bardhi, PD ngre akuza të drejtpërdrejta për mbrojtje dhe favorizim të individëve të përfshirë në rrjete ndërkombëtare të trafikut të drogës, mes të cilëve përmendet Artur Shehu, i cili, sipas të dhënave të Antimafias italiane dhe agjencive të tjera ligjzbatuese, drejton një organizatë kriminale që vepron në disa shtete.

Bardhi kërkon që Edi Rama të japë sqarime para Kuvendit për disa çështje thelbësore, duke përfshirë:
• Nëse kryeministri ka pasur dijeni për takimin e dokumentuar nga Antimafia italiane, zhvilluar në ishullin Aruba (24–31 janar 2019), ku dyshohet se kanë marrë pjesë eksponentë të lartë të qeverisë shqiptare.
• Nëse Rama është informuar nga shërbimet e sigurisë kombëtare për përmbajtjen e këtij takimi.
• Nëse Artur Shehu apo persona të lidhur me të kanë përfituar leje ndërtimi, kontrata publike, koncesione apo PPP, përmes institucioneve të varësisë së qeverisë.
• Nëse kryeministri është takur personalisht me Artur Shehun, apo ka zhvilluar ndonjëherë takime qeveritare apo elektorale në pronat e tij, të cilat janë nën hetim për pastrim parash.
• Çfarë masash konkrete ka marrë qeveria për të penguar depërtimin e krimit të organizuar në ekonomi, siç paralajmërohet edhe në Raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit.

Në përfundim, Bardhi thekson se të enjten do të testohet nëse Edi Rama “do të ketë guximin të paraqitet në Kuvend për t’u përgjigjur mbi fuqizimin e një personi të shpallur si drejtues i një organizate ndërkombëtare të trafikut të drogës”.