Ballina Opinion Përballja me regjimin nuk shtyhet për nesër

Përballja me regjimin nuk shtyhet për nesër

23
0

Nga Reldar Dedaj 

Njerëzit e dinë fare mirë se çfarë po ndodh me vendin dhe me shtetin e tyre, çfarë po ndodh me pasurinë kombëtare, me pronën, me resurset natyrore, me malin dhe bregdetin. Ata madje e pranojnë me një ndjenjë fatalizmi se jemi në kushtet e një regjimi, por kërkojnë të dinë se si do të jetë përgjigjja dhe kush do të përballet me këtë regjim. Për fat të keq, kjo përgjigje nuk është dhënë dhe ende nuk po jepet deri më tani. Vendi po kalon momente dramatike të historisë së vet, momente që po i kalon edhe pjesa më e madhe e qytetarëve të tij. Drama e manipulimit, përdredhjes dhe blerjes masive të votës na ka zhytur në baltovinën e mosndryshimit. Depresioni ka kapur pjesën më të madhe të popullatës, e cila mendon si e si t’ia mbathë nga ky vend që nuk ofron më asnjë shpresë. Opozitarizmi i gjatë i ka topitur demokratët dhe deklaratat retorike të estabilishmentit të saj për përballjen me regjimin ngjallin çdo ditë e më pak entuziazëm.

Një klimë e tillë e ndezur prej vitesh në horizontin e çdo qytetari shpreh, nga të gjitha anët, një shqetësim për fatin e tij, edhe të vendit sigurisht, por edhe të opozitës dhe opozitarizmit në Shqipëri. Shumë prej tyre pyesin vazhdimisht, pothuajse të njëjtën pyetje: se cila do të jetë rruga e përballjes me Edi Ramën? Një pyetje e tillë nuk mund të jetë një pyetje e zakonshme, p.sh., e ngjashme me pyetjen se si do të jetë fati i Partisë Demokratike pas zgjedhjeve të pjesshme për Bashkinë e Tiranës dhe disa bashki të tjera të vendit? Kjo është një pyetje krejt tjetër, e cila më shumë se pyetje, përngjan me pezmin që mbajnë ata për diçka të pamundur për ta luftuar, për diçka që, pavarësisht dëshirës, lufta me të ka veçse një bilanc negativ. Ata mendojnë, dhe ndoshta me të drejtë, se lufta me regjimin, në kuptimin e plotë të fjalës, nuk është asgjë tjetër veçse një luftë e humbur që në nisje të saj, dhe kjo nuk lidhet me vullnetin e Partisë Demokratike dhe as me spektrin e gjerë dhe të larmishëm opozitar, por me infrastrukturën zgjedhore, me mjetet që ka në përdorim regjimi, me klimën që ka krijuar dhe me pesimizmin që ka ngjallur te çdo qytetar i këtij vendi.

Nuk ka më blerje në kuptimin klasik të kësaj fjale: “më jep votën, të jap eurot”. Infrastruktura e manipulimit është më e stërholluar se banalizimi i përditshëm që bëjnë mediat dhe disa prej analistëve të vendit. Mjetet e kapjes së qytetarit shkojnë më larg, shumë më larg, dhe duke rrugëtuar gjatë në këtë stërhollim dhe përdredhje ato janë shndërruar në një strategji perfekte shantazhi dhe frike, që shihet, vërehet, por nuk kapet dot. Skema e manipulimit shitet si strategji zhvillimi dhe sigurisht është akoma edhe më e thellë se patronazhimi pervers dhe po aq krenar i socialistëve; ajo shkon deri te familja shqiptare. Po, deri te familja e varfër shqiptare. Është një skemë që ka logjikë për ta mbajtur në jetë, në skenë dhe në pushtet mazhorancën socialiste dhe interesat e saj të ngushta ekonomike dhe politike për një periudhë shumë të gjatë kohore. Modeli ekonomik që ka krijuar kjo mazhorancë në të gjitha nivelet e saj ngjall veçse ankth dhe stres të përditshëm për familjet e thjeshta shqiptare. Një klimë të tillë e sheh kudo nëpër Shqipëri, nga veriu në jug. Nuk mund ta shohësh ndoshta në ekranet e mediave shqiptare, por e sheh në rrugë, e sheh në treg, e sheh brenda komplekseve luksoze të kryeqytetit, e sheh në rrethinat e tij, në rrethe dhe qytetet e tjera e të vogla të vendit.

Pamja që përshkon Shqipërinë e sotme nuk është thjesht një panoramë politike; është një torturë e përditshme familjare. Një formë e rafinuar e dhunës morale, që, duke u bërë pjesë e përditshmërisë, ka shantazhuar vetë familjen shqiptare, ia ka tharë nervin e protestës, ia ka fshirë muskujt e rebelimit. Kjo është arritja më e frikshme e pushtetit socialist: ai nuk i trembet më qytetarit, sepse e ka nënshtruar familjen e tij. Në dukje, është një skemë banale, por në thelb e ndërtuar me inteligjencë djallëzore. Dy anëtarë të çdo familjeje të madhe duhet të jenë të punësuar në shtet. Kaq mjafton. Me këtë lidhje të padukshme, me këtë varg që të mban lidhur pas sistemit, partia arrin kontrollin e plotë të jetës. Jo vetëm që skema e patronazhimit mbetet funksionale, por çdo dëshirë, çdo hall, çdo nevojë e tyre shënohet në regjistrat e padukshëm të pushtetit, për t’u përdorur më vonë si armë, si shantazh, si blerje. Një mik i autorit të këtij shkrimi, njeri i ndershëm dhe i zhgënjyer, në prag të zgjedhjeve të 11 majit, u gjend përballë një dileme që mund ta ketë përjetuar qindra herë çdo shqiptar. Revolta e tij ndaj mazhorancës kishte mbërritur pikën e vlimit, por një mëngjes ndjeu diçka të ftohtë, të padukshme, që ia shoi zemërimin. Ata e dinin se shtëpia e tij dykatëshe në periferi të Tiranës nuk kishte legalizim. Dilema ishte e qartë: nëse do të votonte kundër socialistëve, do të mbetej pa legalizim; nëse do t’i mbështeste, do ta merrte me një çmim qesharak. Dhe kështu ndodhi. Revolta u shit. Pesë votat e familjes shkuan për mazhorancën, në kundërshtim me çdo bindje të tyre, si një akt dorëzimi përpara një perandorie që s’e sheh më njeriun, por dosjen e tij.

Por sistemi që ka ngritur mazhoranca socialiste nuk ndalon këtu; ai ka shkuar shumë më tej. Në qarkun e Lezhës, për shembull, ndodhi një skenë që i ngjan më shumë një rituali sesa një procesi zgjedhor. Lezha, qark i njohur për shpirtin rebel, vazhdon prej vitesh të mbajë të njëjtin rezultat: 4 me 3 për demokratët. Një shifër e gdhendur, si një mallkim i vjetër që s’ka fuqi ta ndryshojë askush. Në vitin 2013, Edi Rama shpalli fitoren e tij aty, por më vonë ligji i dekriminalizimit e zbuloi se ajo fitore kishte themele të pista. Pesë deputetë u rrëzuan, njëri pas tjetrit. Vetëm një grua mbeti, Mimi Kodheli, pa asnjë lidhje me qarkun, si një figurë e vendosur aty për të ruajtur iluzionin e pastërtisë. Në zgjedhjet e fundit, Rama dhe drejtuesi i tij politik për qarkun e rishkruan skemën: këtë herë, krimi nuk do të shihej. Dora e zezë do të fshihej pas emrave të qetë, pas fytyrave të panjohura. Gjysma e listës socialiste kishte pas vetes nga një familje mafioze të zonës. Negociatat ishin bërë një nga një, në heshtje, si në një rrjet që shtrihej ngadalë përmbi gjithë territorin: pushtet në këmbim të votave, poste në këmbim të rezultatit. Dhe pastaj ndodhi e zakonshmja e pazakonshme: emra anonimë morën mijëra vota. Një studiues serioz i politikës do të mbetej pa fjalë përpara kësaj përputhjeje të përsosur midis mafies dhe partisë. Në fakt, kjo nuk është vetëm historia e Lezhës. I njëjti skenar është luajtur në Durrës, në Elbasan, në Fier. Aktorët ndryshojnë, regjia mbetet e njëjtë.

Fatkeqësisht për vendin, Edi Rama vazhdon e thërret në ndihmë sa herë ka zgjedhje botën e errët të malavitës, duke i bashkuar me shtetin e pushtetin, brenda një ene. Shndërrimi i krimit në skemë elektorale, bashkimi i grupeve me rekorde kriminale si njësi plotësuese apo integruese në strukturat e Partisë Socialiste në disa qarqe të vendit, është pasojë serioze për shtetin dhe qytetarët. Shokët e trafiqeve dhe veprave të tjera penale u thirrën nën armë, u bënë bashkë përreth flamurit të kryeministrit, edhe pse mund të mos e kishin takuar kurrë shumica prej tyre, por çfarë rëndësie ka kjo në thelb; përderisa të dyja palët shërbejnë interesat e tyre në këtë lloj ortakërie. Shkurt e qartë: prej kohësh bandat dhe “të fortët” vazhdojnë e terrorizojnë qytetarë, qytete dhe fshatra, duke marrë peng liritë e të tjerëve dhe duke u njohur si “shefa” nga banorët e këtyre qyteteve apo fshatrave. Një politikan mund ta mendojë këtë ortakëri veçse nga lakmia e paskrupullt për pushtet ose duke qenë viktimë e paragjykimit dhe mbivlerësimit të kundërshtarit, të cilin e sheh si të pathyeshëm me mjetet e përballjes demokratike. Makiaveli na ka treguar se në luftën për pushtet, mjeti justifikon qëllimin, por pesë shekuj më pas, në shoqërinë demokratike bie poshtë një postulat i tillë, pasi qëllimi nuk justifikon çdo mjet. Madje, mjetet antidemokratike njollosin edhe qëllimin.

Rastet që vërtetojnë krimet e pushtetit ndaj shtetit janë të pafundme, edhe dhuna e pushtetit vazhdon të jetë e përqendruar dhe ushtrohet sistematikisht ndaj qytetarëve, pronës publike dhe private. Dhuna është e strukturuar, e projektuar mirë dhe ushtrohet ndaj cilitdo që kërkon ndryshimin. Ky pushtet është bërë njësh dhe është vënë në shërbim të grupeve kriminale dhe grupeve të tjera të interesit privat që kanë vënë në shënjestër interesat publike, biznesin dhe jetën e qytetarëve. Autoritarizmi i Edi Ramës ka dalë krejtësisht në sipërfaqe si drita e diellit dhe atë nuk e sheh vetëm ai që s’do ta shohë. Por, herët a vonë, do të na duhet të përballemi me të, dhe sa më vonë ta shtyjmë përballjen, aq më e madhe do të jetë kostoja për demokracinë dhe shoqërinë shqiptare.

Shihni e zgjidhni!