Ballina Editorial Vrasja e fundit, vdekja e përgjegjësisë!

Vrasja e fundit, vdekja e përgjegjësisë!

7
0

Nga Lutfi Dervishi 

Ka ngjarje që e tejkalojnë tronditjen e momentit dhe kthehen në pasqyrë të realitetit. Vrasja brenda ambienteve të një gjykate nuk është thjesht një akt kriminal, është një sinjal alarmi për “shtetin ligjor”, që nuk arrin të garantojë as sigurinë e gjyqtarëve.

Në vend që të ofronte qartësi, përgjegjësi dhe transparencë, reagimi zyrtar zgjodhi një rrugë tjetër: një përzierje hipokrite ngushëllimesh, mohimesh, lapsusesh dhe propagande. Ministrja e Brendshme deklaroi se “policia nuk ka përgjegjësi për kontrollin dhe sigurinë e godinave të gjykatave”.

Të gjithë e dinë dhe ministrja duhet ta dijë më mirë se kushdo, se kompanitë private të sigurisë licensohen, certifikohen, trajnohen, monitorohen dhe vlerësohen nga Policia e Shtetit. Është njësoj si të thuash se mjeku nuk mban përgjegjësi për pacientin sepse i ka dhënë të drejtën të trajtohet te një spital privat.

Por paradoksi më i madh qëndron te mënyra se si institucionet përpiqen të “drejtojnë narrativën”

Policia e Shtetit njoftoi me krenari se “ka shkuar menjëherë në vendngjarje dhe ka bërë të mundur arrestimin e autorit të dyshuar”, ministrja, për ta përforcuar versionin heroik, shtoi se kemi të bëjmë me një “arrestim të menjëhershëm”. Realiteti, si zakonisht, është më modest: autori i vrasjes është vetëdorëzuar, te patrulla me e afërt, pasi pak më parë kishte dorëzuar edhe armën te roja e sigurisë së godinës!

Shteti që nuk mundi të parandalojë një vrasje brenda gjykatës, zgjodhi të tregojë forcë… jashtë saj. Ndërsa krimi ndodhi brenda godinës, policia bllokon rrugën dhe vendos shiritat bllokuese.

Një  shtet që nuk pranon përgjegjësi, nuk mund të mësojë. Dhe një polici që e sheh veten më shumë si “zyrë marrëdhëniesh me publikun” se sa si organ rendi, nuk mund të krijojë besim. Kjo ngjarje duhet të shërbejë si pikë kthese: jo për deklarata, por për veprime. Të rishikohen protokollet, të rivlerësohen standardet, të garantohet që “siguria” nuk është thjesht një fjalë në një tender, por një detyrim që shpëton jetë. Lajmi i fundit është se skaneri i sigurisë në godinën e gjykatës nuk punon prej ditësh!

Tragjeditë nuk ndodhin vetëm nga kriminelët, por edhe nga kultura e institucioneve që e kanë humbur kuptimin e përgjegjësisë. Dhe ajo që e bën më të dhimbshme këtë ngjarje, është fakti se ndodhi në një vend që prej vitesh flet për reformë në drejtësi, për forcim të institucioneve, për besim tek ligji. Çfarë besimi mund të kërkohet kur vetë drejtësia nuk është e sigurt brenda mureve të saj?

Zgjidhja nuk është refreni  “ashpërsimi i ligjit” por reflektimi dhe marrja e përgjegjësive.

Shteti nuk matet me numrin e shiritave  që vendos, tritolin e fadromat që përdor, gjuhën e ashpër ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve, por me aftësinë për të parandaluar krime, për të mbrojtur jetën dhe për të folur me ndershmëri kur dështon. Dhe në këtë rast, shteti sërish dështoi.