Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në samitin e Brdo-Brijunit që po mbahet në Durrës, u shpreh se Serbia mbetet e përkushtuar që zgjerimi i Bashkimit Evropian të mos mbetet një temë dytësore, por një prioritet kryesor në agjendën e rajonit.
“Megjithëse na presin shumë sfida, Serbia mbetet e përkushtuar për t’u siguruar që zgjerimi i BE-së të mbetet një nga prioritetet dhe jo një temë anësore”, tha Vuçiç.
Ai theksoi rëndësinë e procesit të Brdo-Brijunit, duke shtuar se “vetëm ndershmëria dhe koherenca në qasjen e të gjitha palëve i japin këtij procesi qëndrueshmëri të përhershme dhe besimin e vendeve të rajonit.”
Vuçiç u shpreh i bindur se perspektiva e qartë e anëtarësimit në BE është motor i reformave, tërheqjes së investimeve dhe rritjes ekonomike. “Serbia do të jetë gjithmonë një partnere e besueshme dhe e përgjegjshme e BE-së,” tha ai.