Në tetor të vitit 1945, në Tiranë, u themelua Lidhja e Shkrimtarëve të Shqipërisë, një organizatë që shënoi fillimin e institucionalizimit të jetës letrare në vend. Dy vjet më pas, më 1947, kjo strukturë u zgjerua duke u bashkuar me Lidhjen e Artistëve, duke krijuar kështu një organizatë të përbashkët për krijuesit e fjalës dhe të artit figurativ – Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë (LSHA).
Në fillimet e saj, Lidhja numëronte 70 anëtarë, mes tyre edhe gazetarë dhe gjuhëtarë. Kryetar i parë u zgjodh Sejfulla Malëshova, ndërsa Fan Noli mori rolin e presidentit nderi. Gjatë dekadave në vijim, drejtimin e LSHA-së e mbajtën emra të njohur të kulturës shqiptare si Dhimitër Shuteriqi, Dritëro Agolli, Bardhyl Londo, Xhevahir Spahiu dhe Limos Dizdari.
Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave, me kalimin e viteve, numri i anëtarëve të Lidhjes u shtua ndjeshëm, duke e kthyer këtë organizatë në një qendër të rëndësishme të jetës kulturore. Ajo botoi organe letrare dhe artistike që u bënë referenca për dekada, si “Literatura jonë”, “Letërsia jonë”, “Nëntori”, “Drita”, “Les lettres Albanaises”, “Bota Letrare” dhe “Revista letrare”.
Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve mbetet një ndër institucionet më emblemë të kulturës shqiptare, që pasqyroi përmes penës dhe artit zhvillimet, debatet dhe frymën krijuese të një epoke të tërë. /kultplus/







