Ballina Lifestyle Diddy i kërkon me dëshpërim gjyqtarit një ndryshim! Ku dëshiron të shkojë?

Diddy i kërkon me dëshpërim gjyqtarit një ndryshim! Ku dëshiron të shkojë?

23
0

Sean “Diddy” Combs po kërkon nga një gjyqtar federal të transferohet nga Qendra Metropolitan e Paraburgimit (MDC) në Brooklyn, duke e përshkruar kohën që ka kaluar atje si “të padurueshme dhe të pasigurt”.

Manjati 55-vjeçar i muzikës, i dënuar me katër vjet burg për transportimin e grave përtej kufijve shtetërorë për prostitucion, ka kërkuar që pjesën tjetër të dënimit ta vuajë në FCI Fort Dix, në New Jersey – një institucion i sigurisë së ulët, i njohur për programet e tij arsimore dhe rehabilituese.

Në një kërkesë të dorëzuar nga avokatja Teny Geragos, ekipi mbrojtës i Diddy-t i ka kërkuar gjykatës që të rekomandojë transferimin në mënyrë që artisti të mund të marrë pjesë në Programin e Trajtimit të Abuzimit me Drogë në Rezidencë (RDAP) dhe në programe të tjera edukative e profesionale.

Në dokumentin gjyqësor argumentohet se ky veprim do ta ndihmonte Diddyn të maksimizojë vizitat familjare dhe të fokusohet në rehabilitim, pas një periudhe që ai e përshkruan si “më e vështira e jetës së tij”.

Aktualisht, Combs ndodhet në Njësinë Speciale të Strehimit në MDC Brooklyn – një ambient i njohur për izolim pothuajse total dhe kushte të ashpra. Në një letër drejtuar gjykatës, ai përshkroi përditshmërinë e tij si “çnjerëzore”, duke theksuar mungesën e ujit të pijshëm dhe hapësirës së jetesës.

“Humba rrugën. U humba në udhëtimin tim. I humbur në drogë dhe tepri,”- tha Diddy gjatë seancës së dënimit, duke shtuar se koha në burg ka qenë periudha e parë në 25 vjet që ai ka mbetur plotësisht i kthjellët.

FCI Fort Dix, që ndodhet në bazën ajrore McGuire në New Jersey, strehon rreth 4,000 të burgosur në një mjedis me siguri të ulët. Objekti është i njohur për qasje rehabilituese, duke ofruar këshillim psikologjik, programe pune dhe aktivitete arsimore. Ekipi i mbrojtjes së Diddy-t beson se ky mjedis do ta ndihmonte artistin të gjente stabilitet dhe strukturë pas problemeve me drogën dhe abuzimet që ai vetë ka pranuar.

Megjithatë, konsulenti federal i burgjeve Sam Mangel ka deklaruar për Daily Mail se Diddy nuk do të mund të përfshihet në programin RDAP, pasi të dënuarit me akuza seksuale nuk kualifikohen për pjesëmarrje.

Sipas tij, Combs mund të ndjekë vetëm kurse më të shkurtëra jo-rezidenciale, por ato nuk do të ndikojnë në uljen e dënimit.