Sulmuesi anglez Harry Kane ka lënë të kuptohet se mund të zgjasë qëndrimin e tij te Bayern Munich përtej vitit 2027, kur përfundon kontrata e tij aktuale.
Kane tha se është i gatshëm të zhvillojë bisedime për një marrëveshje të re me klubin bavarez, ndërsa dëshira për t’u rikthyer në Premier League është zbehur.
“E shoh patjetër mundësinë për ta vazhduar kontratën. Ende nuk kemi biseduar, por nëse lind nevoja, do të flisja hapur me Bayernin,” deklaroi 32-vjeçari.
Që nga transferimi i tij nga Tottenham në vitin 2023, Kane ka qenë në formë të jashtëzakonshme, duke shënuar 103 gola në 106 ndeshje dhe duke fituar Bundesligën e Superkupën e Gjermanisë.
“Kur u largova për herë të parë nga Anglia, do të kisha thënë se do të kthehesha patjetër. Tani, pas disa vitesh në Gjermani, ajo dëshirë është pak më e vogël, por asnjëherë nuk i dihet së ardhmes,” shtoi ai.
Aktualisht, Kane ndodhet me kombëtaren e Anglisë, që të enjten do të zhvillojë një miqësore ndaj Uellsit në Wembley dhe më pas do të përballet me Letoninë më 14 tetor në Riga për kualifikueset e Kupës së Botës.