Emisioni “Në Shënjestër” me autore Klodiana Lalën ka zbardhur detaje të reja nga hetimet mbi veprimtarinë kriminale të grupit të drejtuar nga Aleksandër Laho, i njohur me nofkën “Rrumi”. Dokumente, biseda të përgjuara dhe transkripte të siguruara nga aplikacioni i koduar Sky Ecc tregojnë mënyrën se si grupi kriminal i “Rumit” vepronte për tjetërsimin e pronave, pastrimin e parave, dhe planifikimin e eliminimit të kundërshtarëve të tij në Durrës. Sipas dokumenteve të hetimeve, grupi i drejtuar nga Laho kishte ngritur një skemë të sofistikuar falsifikimi të dokumenteve të pronësisë, duke manipuluar aktet e marrjes së tokës në pronësi. Ata shtonin në mënyrë fiktive numrin e parcelave dhe më pas falsifikonin dokumentet zyrtare, të cilat i fusnin në mënyrë të paligjshme në sistemin e ish-Hipotekës së Durrësit.
Në shumë raste, grupi kriminal grisnte fletët origjinale të regjistrimeve të pronave që figuronin si “pyll” apo “pa frut”, për t’i zëvendësuar ato me regjistrime të reja si “tokë arë”. Në këtë mënyrë, krijoheshin praktika të rreme të rivlerësimit dhe më pas tokat tjetëroheshin nëpërmjet akteve të shitjes apo dhurimit.
Pasuritë e përfituara në kundërshtim me ligjin regjistroheshin shpesh në emrin e fshatarëve të zonave Lalëz, Draç, Bizë dhe Shetaj, të cilët nuk kishin dijeni për përfshirjen e tyre. Pronat më pas shiteshin tek kompani dhe biznesmenë të interesuar për ndërtim në zonën bregdetare të Lalzit dhe Kepit të Rodonit. Pikërisht këto prona ishin shkaku i disa përplasjeve fizike që ndodhën në vitet e fundit, përfshirë incidentin e datës 29 tetor 2023 në Kepin e Rodonit, ku tetë persona u përfshinë në një sherr fizik midis banorëve dhe përfaqësuesve të Kishës Katolike.
Hetuesit thonë se Aleksandër Laho, i cili kishte akumuluar pasuri të mëdha përmes kësaj skeme, shfrytëzonte pronat e përvetësuara jo vetëm për përfitim ekonomik, por edhe për të larë hesapet me kundërshtarët e tij në qytetin e Durrësit. Ai ishte i gatshëm të shkëmbente prona shtetërore për të siguruar eliminimin e personave që e kundërshtonin, mes tyre edhe Plaurent Dervishin, i njohur si drejtues i një bande rivale.
Në një sërë bisedash të zhvilluara në aplikacionin Sky Ecc me Elidon Avdylin (i njohur si Aldo Avdyli), nip i Astrit Avdylit, Laho i ofronte shpërblime në prona bregdetare në këmbim të vrasjeve të planifikuara. Objektivat përfshinin Plaurent Dervishin, Lulzim Berishën dhe Mond Çekiçin, ky i fundit i ekzekutuar më 20 mars 2021 në Durrës.
Në njërën prej këtyre bisedave, të publikuara së fundmi nga emisioni “Në Shënjestër”, zbulohet se “Rrumi” planifikonte eliminimin e disa figurave të botës së krimit në Durrës, ndërsa diskutonte edhe ndikimin e mundshëm të politikës në planet e tij.
Në komunikimet e përgjuara, Laho i shkruan Avdylit:
“Shoku, koka e grupit është Luli i pari, Cekja, pastaj ky legeni Lenti… Këta e xhirojnë lojën e qytetit, të tjerët pastaj janë pasiva, të parëndësishëm.”
Në vijim, Aldo i përgjigjet:
“Po je fiks fare o vëlla… Kjo është. S’ta fut njeri ty për terren e për mend. Po Luli, Ceke them unë. Lulit i biem direkt. Ai e don… Vetëm vendose ti.”
Në një pjesë tjetër të bisedës, “Rrumi” thekson:
“Heqim Ceken, se është truri i atyre në terren, se qytetin ata e kanë në kontroll… plus kanë mbledhur gjithë kundërshtarët e Arjanit…”
Në komunikimet e mëtejshme, dy bashkëbiseduesit përmendin edhe emrin e kryeministrit Edi Rama, duke u shprehur se prania e tij në zonë do t’u “fikte” mundësitë për të vijuar veprimet kriminale:
“Po na erdhi ky Rama këtu, s’bëjmë dot shumë se do na fiki”, – thuhet në një nga mesazhet.
Në një tjetër bisedë, Avdyli i kujton Lahos:
“Vëlla, shihe atë tokën që më the mos ma le pas dore, se vallai më duhet ndonjë gjë me ja lënë fëmijëve.”
Sipas hetimeve, grupi i “Rumit” përdorte fitimet nga shitja e pasurive të përvetësuara për të financuar aktivitete kriminale të tjera, përfshirë armët, logjistikën dhe korruptimin e zyrtarëve lokalë.
Në një rast të mëparshëm, gjatë ekspertimit të telefonit të sekuestruar të Aleksandër Lahos, hetuesit zbuluan foto dhe dokumente zyrtare të falsifikuara që lidhnin emra të njohur të administratës lokale me skemën e tjetërsimit të pronave.
Ndër të tjera, Laho ishte përfshirë edhe në korrupsion aktiv ndaj zyrtarëve publikë, përfshirë drejtues të Avokaturës së Shtetit në Durrës, si në rastin e avokatit Irgen Kërçuku, të cilin fillimisht e kishte korruptuar dhe më pas e kishte filmuar dhe dhunuar për t’i marrë paratë që vetë i kishte dhënë si shpërblim.
Sipas të dhënave të SPAK:
“Faktet dhe provat e siguruara tregojnë se pas shtetasve përfitues qëndrojnë persona të tjerë të cilët, në bashkëpunim me punonjës të administratës shtetërore në Këshillin e Qarkut Durrës dhe ish-ZVRPP Durrës, kanë tjetërsuar një sipërfaqe toke bujqësore prej 189.230 m², e cila duhet të ishte e regjistruar si pronë shtetërore.”
Kjo dosje voluminoze e lidh Aleksandër Lahon jo vetëm me korrupsionin dhe tjetërsimin e pronave, por edhe me planifikimin e atentateve dhe eliminimeve fizike të kundërshtarëve, duke e renditur ndër figurat më të përfolura të botës kriminale në vend.