Ish-deputeti i PD-së, Asllan Dogjani i ftuar në programin e drekës në News24, teksa komentoi ngjarjen e rëndë që tronditi dje mbarë opinionin publik, ku një i ri vrau gjyqtarin Astrit Kalaja në sallën e gjyqit, pohoi se këtë të fundit e vrau shteti. Dogjani tha se duhen parë dhe veprimet e policisë së Shkodrës në lidhje me konfliktet mes dy familjeve, që çuan në masakrën e djeshme.
Ai tha se Elvis Shkambi shkrepi vetëm armën, por në fakt ‘krimin’ e kreu shteti me mosveprimin e tij.
Dogjani tha se i pari që sulmon sistemin e drejtësisë është Rama.
“Dua të shpreh ngushëllimet e mia për familjarët e gjyqtarit Astrit Kalaja. E kam njohur dhe punuar. Ku kam qenë drejtor i Policisë së Shkodrës. Ai ka qenë gjyqtar në Apelin e Shkodrës, një njeri që dha gjithmonë drejtësi. Bëhet fjalë për një konflikt midis 30 familjeve, të cilat u futën në atë pallat me marrëveshje me shtetin. Ai që pretendon se ishte pronar, guxon dhe futet në sallë me armë dhe e vret gjyqtarin. Gjyqtari është shteti. Kjo seancë nuk kishte të bënte me themelin, por me një çështje procedure. Ai nuk ka marrë një vendim në kuptimin e mirë të fjalës të shkojë i panxitur nga deklaratat që ka bërë kryeministri. Kur flet kryeministri i vendit që thotë; një vendim i atij gjyqtari apo i këtij këtu, nuk është i drejtë. Kur guxon kryeministri, çfarë pret nga ai Shkambi, apo një Shkamb tjetër.”, tha ai.
Pyetjes nëse familja Shkambi ishte problematike në kohën kur Dogjani ishte në krye të policisë, ai tha; “Xhaxhai doli dhe tha kush do ta dënojë nipin, do ta pësojë si Astrit kalaja apo xhaxhai tjetër që ka kërcënuar një vit më parë, duhen parë veprimet e policisë. Si nuk e parandaloi policia këtë ngjarje. Ata jo vetëm që mund të kenë mbështetje politike, por kanë sfiduar shtetin, policinë. Edhe në 97-ën nuk ka ndodhur kjo gjë. Një ngjarje e tillë duhet bërë dhe një analizë pse ndodhi! A është vërtetë sistemi i drejtësisë problemi? Astrit Kalanë e vrau vetë shteti. Ai luajti dorën, por e vrau shteti!”, tha ai.