Ballina Rajoni Misteri i vrasjes së pronarit grek dhe punonjësit shqiptar, krimi ndodhi në...

Misteri i vrasjes së pronarit grek dhe punonjësit shqiptar, krimi ndodhi në prani edhe të personave të tjerë

18
0

Një ngjarje e rëndë që ndodhi dy ditë më parë në Foinikounta të Mesinisë në Greqi, vijon të tronditë opinionin publik dhe të mbajë në gatishmëri autoritetet. Dy burra, pronari grek i një kampingu dhe punonjësi i tij shqiptar, u qëlluan për vdekje me armë zjarri mbrëmjen e së dielës, në një akt ekzekutimi të pastër.

Autori i krimit mbetet ende në arrati dhe motivet e vrasjes së dyfishtë mbeten të paqarta. Policia greke po vijon hetimet në disa pista, duke mos përjashtuar as motive personale, as skenarë më kompleksë që mund të lidhen me interesa të tjera, raporton Protothema.

Sipas të dhënave zyrtare, autori ka hyrë në kamping me një skuter, duke e lënë motorin ndezur. Ai ka qëlluar për vdekje dy burrat me një armë të llojit pistoletë, pa lënë pas gëzhoja. Viktima e parë u vra në vend, brenda zyrës së kampingut, ndërsa tjetri u qëllua pas shpine teksa përpiqej të largohej.

Një dëshmitar i mbijetuar, nip i njërit prej viktimave, ndodhej në vendin e ngjarjes dhe ka deklaruar se autori qëlloi edhe në drejtim të tij, por pa e goditur. Ai nuk ka mundur të identifikojë vrasësin, i cili sipas tij ishte i veshur me bluzë me kapuç dhe nuk kishte mbuluar fytyrën.

Kamerat e sigurisë në zonë kanë kapur autorin teksa largohej me motor drejt fshatit Koryfasi, por pamjet janë të paqarta dhe targat nuk dallohen.

Ndërkohë, autoritetet kanë nisur marrjen në pyetje të personave të afërt me viktimat, në përpjekje për të zbardhur arsyet që çuan në këtë ngjarje të rëndë.

Autopsia e trupave u zhvillua në qytetin e Korinthit, dhe ndonëse detaje të plota nuk janë bërë ende publike, autoritetet shpresojnë që ajo të ndihmojë në rindërtimin e saktë të ngjarjes dhe të ndihmojë në identifikimin e autorit.