Ndërtimi dhe turizmi po mbështesin rritjen ekonomike të Shqipërisë, ndërsa bujqësia vijon të bjerë, thotë në raportin e fundit Banka Botërore. Për vitin aktual ajo vlerëson se ekonomia do të rritet me 3.7%, ndërsa punësimi u rrit, i udhëhequr po nga sektori i shërbimeve, që sipas bankës kompensoi humbjet e vendeve të punës në bujqësi në tremujorin e parë të vitit 2025.
Por, për vitin e ardhshëm e në vijim Banka Botërore paralajmëron një ngadalësim të rritjes ekonomike në 3.5%, për shkak të pasigurive në tregtinë globale dhe ndryshimeve në perspektivën ndërkombëtare. Megjithatë, në raport theksohet se Shqipëria mund të përfitojë nga negociatat me BE-në.
“Një zbatim më i shpejtë i reformave të mbështetura nga BE-ja mund të përshpejtojë ritmin e rritjes së të ardhurave për frymë deri në 3.1 për qind mbi skenarin bazë si edhe konvergjencën me standardet e jetesës së BE-së”, thuhet në raport.
Jo vetëm Shqipëria, por të gjitha ekonomitë e vendeve të Ballkanit Perëndimor, pritet të përjetojnë ngadalësim vitin e ardhshëm, dhe mund të ri-gjallërohen përsëri në 2027-ën thotë Banka Botërore nëse pasiguritë në ekonominë globale zbuten. Rritja ekonomike në 6 vendet e Ballkanit Perëndimor në vitin 2026, parashikohet në 3.1% në kushtet kur po përballet me mungesë të fuqisë punëtore dhe rënie të popullsisë.
“Nëse tendencat aktuale të popullsisë, rritjes ekonomike dhe të tregut të punës do të vazhdojnë, rajoni mund të përballet me një mungesë prej më shumë se 190,000 punëtorësh gjatë pesë viteve të ardhshme”, vlerëson banka Botërore, e cila sugjeron të investohet më shumë në infrastrukturë, arsim dhe kapital njerëzor.