Ballina Editorial Ne i vrasim gjyqtarët, mjekët… dhe në fund vrasim edhe veten

Ne i vrasim gjyqtarët, mjekët… dhe në fund vrasim edhe veten

14
0

Nga Ermal Peçi

Një tjetër gjyqtar humbi jetën. Një tjetër njeri, me emër e mbiemër, me familje dhe jetë, u vra në një klimë ku jeta nuk ka më vlerë.

Por në vend që të tronditemi, rrjeti shpërthen me komente të neveritshme:

“Mirë ja bëri!”, “I lumtë pushka!”, “Ishte i korruptuar!”

Po kush jemi ne që marrim rolin e gjykatësit, hetuesit dhe pushkatuesit në të njëjtën fjali? Kush na ka dhënë këtë të drejtë?

Në Shqipëri kemi ndërtuar një frymë linçimi publik që nuk kursen askënd.

Sot janë gjyqtarët. Dje ishin mjekët. Pardje, mësuesit.

Kujtoni fushatën “Denonco mjekun!” – kur mjeku u shpall armik publik, hajdut me stetoskop, jo shërues, por grabitqar.

I gjithë ky sulm vetëm për konsum psikologjik. Për të çliruar mllefin tonë kolektiv. Për të na bindur se problemi nuk është sistemi, por individi.

Sot po ndodh e njëjta gjë me drejtësinë.

Politika dhe media, me fjalë të papërgjegjshme, i kanë shpallur të gjithë gjyqtarët “pengje”, “të kapur”, “të korruptuar”.

Nuk ka filtra. Nuk ka masa. Vetëm një përçartje kolektive ku mesazhi i vetëm që përcillet është: se po je gjyqtar dhe prokuror je i korruptuar.

Kjo është Shqipëria e sotme.

Një vend ku politika hedh fjalë si plumba, media i kthen në tituj për klikime, dhe qytetarët i përthithin si verdikte.

Nuk kemi më nevojë për drejtësi – kemi rrjetin social.

Nuk kemi më nevojë për polici – kemi ndjekës.

Nuk kemi më nevojë për gjykatë – kemi komentues dhe analista.

Dhe më tragjikja: nuk kemi më nevojë për jetën e tjetrit, sepse kemi ku të shkarkojmë urrejtjen tonë.

Askush nuk ndërhyn deri sa të ndodhë tragjedia.

Elitat heshtin. Akademia hesht.

Politika merret me gjyqin ndaj kundërshtarit, jo me ndërtimin e një kulture qytetare.

Kemi një ves të rëndë si shoqëri:

Në vend që të kurojmë plagët, ua heqim fashot të tjerëve. Ne jemi një shoqëri që gjykojmë, por nuk ndërtojmë. Kryqëzojmë, por nuk shpëtojmë.

Por çfarë vlere ka kjo mënyrë mendimi kur nuk shërben as për të qetësuar shpirtin e trazuar të një shoqerie që ka humbur busullëm.

Jeta është e çmuar dhe secili prej nesh ka vetëm një shans. Një dhuratë – që i përket Zotit, dhe vetëm Ai mund ta marrë mbrapsht.

Duhet të ndalemi, para se ekstremet të bëhen normë.

Para se vdekja të shndërrohet në zgjidhje.

Një njeri humbi jetën. Një tjetër do kalbet në burg.

Familje të thyera. Një sistem i kalbur. Një shoqëri që po kalbet me vetëdije.

Sepse kur vret drejtësinë, vret mjekësinë, vret mësuesin, vret qytetarin – nuk ke vrarë vetëm ata.

Ke vrarë veten.