Ballina Politika Pagoi 47 herë Facebook-un/ Idrizi del me borxhe nga 11 maji, shpenzoi...

Pagoi 47 herë Facebook-un/ Idrizi del me borxhe nga 11 maji, shpenzoi 14 mijë euro për reklama në rrjetet sociale. Ky po që është aleat opozitar!

45
0

Partia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet është e para që dorëzon raportin financiar në KQZ për zgjedhjet e 11 majit. Shpëtim Idrizi deklaron se ka dalë me borxhe nga fushatë, teksa rezulton se ka paguar 47 fatura për reklama në Facebook. Sipas raportit e siguruar ekskluzivisht nga Report TV, del se askush nuk e ka sponsorizuar PDIU-në në këtë fushatë.

3 nëntori është afati i fundit për çdo parti, për të dhënë llogari në KQZ për çdo qindarkë që kanë shpenzuar për fushatën e 11 majit.

Bashkë me raportin, partitë duhet të dorëzojnë fatura për çdo shpenzim që kanë bërë si dhe prova për çdo dhurim financiar që kanë pranuar nga kompanitë apo individët.

Partia e parë që e ka përmbushur këtë detyrim, është PDIU-ja e Shpëtim Idrizit.

Në raportin e siguruar nga Report TV, kjo parti nuk ka pasur asnjë sponsor apo dhurim për fushatën, por ka përdorur rreth 18 mijë euro të dhëna nga shteti për zgjedhjet, si dhe 40 mijë euro që i ka pasur të kursyera në arkën e partisë.

Sipas të dhënave, PDIU ka dalë nga fushata me borxhe, pasi ka ende mbi 1 mijë euro shpenzime të papaguara.

Numrin më të lartë të faturave, partia e Shpëtim Idrizit i ka për pagesa në rrjetin social, Facebook. Plot 47 të tilla, me një shpenzim total, rreth 14 mijë euro vetëm për reklama në këtë platformë.

PDIU, falë marrëveshjes me Berishës, siguroi një vend të sigurt për Mesila Dodën në listën e mbyllur në Tiranë, ndërsa vetë Idrizi që kandidoi në listat e hapura, mori vetëm 1940 vota, dhe nuk mundi të hynte në Parlament.

SHIFRAT E PDIU-SË
Dhurime: 0
Shpenzime: 5,872,474 lekë
Fonde publike: 1,792,735
Rezerva të partisë: 4,079,739
Borxhe:113,886