Mjeku Erion Dasho, nga studioja e “Kafe Shqeto”, komentoi situatën e QSUT-së dhe krizën në shëndetësi, duke theksuar se ndryshimet e shpeshta të drejtorëve dhe mungesa e vëmendjes nga qeveria po dëmtojnë rëndë funksionimin e institucionit më të madh spitalor të vendit.
Sipas tij, raporti i KLGJ që duhet të vihet menjëherë në tryezën e ministres së Shëndetësisë, tregon realitetin shqiptar: aty nuk ndodhin vetëm shkelje procedurale, por edhe krime që rrezikojnë jetën e pacientëve, sidomos në trajtimin e sëmundjeve tumorale.
Dasho kritikoi qeverisjen aktuale, duke theksuar se ndryshimi i medikamenteve dhe ndërhyrja në protokollet e trajtimit pa arsye shkencore është jo vetëm i papranueshëm, por edhe i rrezikshëm për jetën e qytetarëve.
Ai nënvizoi se respektimi i protokolleve onkologjike është “fati më i madh” që mund të ketë një pacient në luftën kundër sëmundjeve tumorale.
Erion Dasho:
“Katër–pesë drejtorë kanë ndryshuar në QSUT gjatë kohëve të fundit, ku drejtori i fundit qëndroi vetëm dy muaj në detyrë, u emërua në korrik dhe u largua në shtator.
Kjo tregon se ky është një institucion që nuk ka as edhe vëmendjen më të vogël të piramidës së qeverisjes shqiptare.
Ky raport i KLGJ duhet të vendoset në radhën e parë të ministres së Shëndetësisë në tryezë, sepse kur u prezantua për më pak se një muaj, tha se QSUT nuk ka ndonjë ndryshim të madh nga spitalet në Romë apo në Britani, ku ka punuar vetë.
Ky lloj mentaliteti me të cilin vjen ministria e re dhe ky lloj mentaliteti që ka punuar ministria paraardhëse, është realiteti shqiptar.
Ajo që thotë Osmani dhe raporti janë të vërteta dhe kjo do të thotë se aty nuk po ndodhin vetëm shkelje, por po ndodhin krime.
Osmani është bërë gjysmë mjek tani dhe e ka sqaruar fare mirë: në rastin e sëmundjeve tumorale, protokolli është i shenjtë, sepse është fat i madh kur një sëmundje aq e rëndë (sepse ne themi “tumor”, por tumori mund të jetë në çdo organ, në qindra apo dhjetra forma) trajtohet sipas protokollit.
Pra, nuk ekziston një tumor apo kancer i vetëm si sëmundje. Kanceri është shumë lloje sëmundjesh, dhe kur arrin një tumor të caktuar brenda gjithë asaj game preparatesh, gjen një kombinim që është efektiv, ose për ruajtjen e jetës së qytetarit, ose për zgjatjen dhe përmirësimin e cilësisë së jetës. Ky është një fat shumë i madh.
Në momentin që ti thua se ky pacient nuk përfiton nga ky protokoll, ose mund t’i zgjatet jeta, kjo është arritja më e madhe që ka në fushën e vet mjeku onkolog.
Dhe të tentosh ta sabotosh këtë, duke thënë se ky medikament nuk funksionon dhe do ta zëvendësosh me një tjetër, është gabim total.
Një terapi mund të zëvendësohet vetëm kur ajo nuk funksionon, jo kur është duke funksionuar; të ndryshosh preparatin në mes të ciklit të trajtimit është e papranueshme”.