Ballina Politika Rrugëtimi i ish-gardistit Gramoz Sako, nga ‘arrest shtëpie’ tek kandidatura për Bashkinë...

Rrugëtimi i ish-gardistit Gramoz Sako, nga ‘arrest shtëpie’ tek kandidatura për Bashkinë e Tepelenës

36
0

Gramoz Sako, ish-komandant i Gardës së Republikës, tashmë kandidat i PS për Bashkinë e Tepelenës, po ngre shumë pikëpyetje për figurën e tij publike.

Një dokument i Komisionit të Vlerësimit në kuadër të procesit të Vettingut në Polici ka zbuluar një sërë problematikash që lidhen me pasurinë dhe konfliktin e interesit, çështje që, sërish nuk penguan rrugëtimin e tij drejt kandidimit politik.

Në shkurt të vitit 2020, trupa e vlerësimit, e përbërë nga Mirela Ujkani (Miti), Alban Laska dhe Artur Baku, ka konstatuar se Sako nuk ka qenë i saktë në deklarimin e pasurisë.
Asokohe deklarohej se Sako zotëron një apartament në emër të bashkëshortes dhe ka marrë një kredi 3 milionë lekëshe për blerjen e tij, të shlyer për vetëm tre vite.

Në deklarimet zyrtare, Sako kishte raportuar edhe blerjen e një apartamenti tjetër në Tiranë, pa deklaratë noteriale, të cilin e ka shndërruar në klinikë dentare, me pajisje në vlerën 36 mijë euro, financuar pjesërisht nga një hua prej 14 mijë eurosh nga kunati, me burim të paqartë në Itali.

Komisioni ka evidentuar mospërputhje në vlerën e investimeve në klinikë dhe mungesë dokumentimi për burimet e financimit, ndërsa Sako nuk ka deklaruar saktësisht as shumën e huasë, duke shkelur detyrimin ligjor për deklarim të plotë.

Në listën e pasurive të tij shfaqet edhe një Toyota Land Cruiser, e cila rezulton e çregjistruar. Sipas DPSHTRR, makina është blerë me 450 mijë lekë dhe më pas e shitur për 15 mijë euro, një diferencë e madhe që komisioni e ka konsideruar “të pajustifikuar”.
Ndërkohë, bashkëshortja e tij ka raportuar të ardhura 1.4 milionë lekë më shumë se sa deklarimet zyrtare pranë tatimeve, duke ngritur dyshime për evazion fiskal.

Konflikte interesi 

Një tjetër pikë e rëndë në dosjen e Sakos lidhet me favorizime familjare dhe abuzime në Gardë. Në vitin 2019, një grup gardistësh e ka denoncuar në Komisionin e Vlerësimit për rritje gradash pa kriter, abuzime me dieta dhe sjellje joprofesionale. Në këtë periudhë, në strukturat e Gardës është punësuar edhe mbesa e Sakos, vajza e motrës së tij, si juriste. Edhe pse ai ka mohuar çdo konflikt interesi, komisioni ka vlerësuar se ka kryer favorizim familjar dhe se figura e tij morale cenohet. Në dosje përmendet gjithashtu se Sako, përpara se të pranonte detyrën në Gardë në vitin 1997, ka qenë në arrest shtëpie për një çështje penale të pushuar më pas. Dosja e tij në vetting ngre pyetje të forta mbi standardet e përzgjedhjes dhe filtrat moralë të kandidatëve që dalin nga strukturat e sigurisë.