Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka akuzuar Serbinë të martën se po ndërhyn në zgjedhjet lokale të 12 tetorit në Kosovë duke bërë premtime për vende pune dhe përfitime financiare.
Kurti tha se veprimet e fundit të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe të aktorëve të tjerë serbë, shtetërorë dhe joshtetërorë, “nuk mund të cilësohen ndryshe përveçse ndërhyrje në procesin e zgjedhjeve lokale të tetorit në Kosovë”.
“Premtimet për vende pune, joshja përmes përfitimit të mbështetjes financiare, kushtëzimi dhe shantazhi në beneficione sociale dhe deklarimet e zyrtarëve shtetërore të Serbisë se vetëm Lista Serbe e mbron Serbinë në Kosovë siç bëri së fundmi ish-kryeministri i Serbisë, tash këshilltar i presidentit atje, Millosh Vuçeviç, e siç ka bërë edhe vet presidenti i Serbisë, Vuçiç, janë metoda të përsëritura të ndërhyrjes së Serbisë në procesin zgjedhor në Kosovë.
Misioni për vëzhgimin e zgjedhjeve i BE në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit 2025 kishte evidentuar ndërhyrje e Serbisë në zgjedhjet tona. Ndërhyrjet e shteteve të tjera janë forma të cenimit të demokracisë dhe sovranitetit të atij shteti.
E me gjithë këto Serbia nuk ka pasur asnjë pasojë nga Bashkimi Europian andaj Serbia nuk po ndryshon sjellje. Kjo ndërhyrje që bën Serbia tani në zgjedhjet në Kosovë është edhe më e rëndë sesa ajo e Rusisë në Europë”, tha Kurti në mbledhjen e qeverisë.
Ai i kërkoi Bashkimit Europian që të sanksionojë Serbinë për shkak të shkeljes së parimeve të fqinjësisë së mirë dhe shkeljen e marrëveshjes bazë të Brukselit. Kreu i ekzekutivit të Prishtinës shtoi se Serbia nuk po ndryshon sjellje pasi nuk ka pasoja për veprimet e saj.
“I bëjmë thirrje BE që ta dënojnë ndërhyrjen e Beogradit zyrtar në zgjedhjet demokratike në Kosovë dhe të sanksionojë Serbinë shtet ky kandidat për anëtarësim në BE për veprime të cilat bien ndesh me parimet e fqinjësisë së mirë dhe shkelin marrëveshjen bazë të Bruskelit”, theksoi Kurti.