Nga Plarent Ndreca
Vrasja e gjyqtarit të Gjykatës së Apelit, Astrit Kalaja, është një tragjedi me dy fytyra.
E para, njerëzore dhe e pakthyeshme, për familjen që humbi njeriun e dashur. Dhimbja e tyre është e pafundme dhe asnjë fjalë nuk mund ta lehtësojë. E dyta, institucionale dhe kolektive, për shoqërinë dhe shtetin vetë. Sepse në sallën ku jepet drejtësi, u rrëzua një nga shërbyesit e saj më të rëndësishëm dhe bashkë me të u rrëzua një pjesë e besimit të publikut te shteti ligjor.
Fatkeqësisht, edhe pas kësaj tragjedie, reagimet ndjekin të njëjtin ritual të vjetër,
dikush merret me cilësinë e skanerëve, dikush me kangjellat e rrethimit të gjykatës, dikush me shpejtësinë e komunikatave, dikush me policët e dikush me formalitetet e kompetencës institucionale. Secili nxiton të gjejë një detaj teknik për të shmangur përgjegjësinë reale. Të gjithë flasin, por askush nuk prek “plagën” e vërtet.
Michel Foucault, në analizat e tij mbi pushtetin dhe institucionet, nënvizonte se drejtësia nuk është thjesht makineria e ndëshkimit, ajo është autoriteti moral i pushtetit. Kur ky autoritet shkatërrohet, drejtësia nuk është më akt i së drejtës, por ritual i vetëlegjitimimit. Gjykata pushon së qenë altar i së vërtetës dhe shndërrohet në zyrë formularësh, vulash dhe procedurash që ruajnë formën, jo drejtësinë. Foucault shkruan: “Kur drejtësia shndërrohet në aparat burokratik, ajo nuk ndëshkon padrejtësinë, por prodhon një rend të vetëreferueshëm që mbron formën, jo të vërtetën.” Në këtë rend, drejtësia humbet shpirtin e saj moral dhe kthehet në mjet për të ushtruar pushtet, jo për ta kufizuar atë.
Kjo që Foucault e quante “drejtësi burokratike” është bërë tashmë realitet i përditshëm edhe në Shqipëri. Sistemi ynë i drejtësisë, nga prokuroria deri te gjykatat, është shkëputur nga pulsi moral i “qytetit”. Ai nuk rreh më në ritmin e shoqërisë, nuk ndien më dhimbjen e padrejtësisë, nuk njeh më kufirin midis ligjit dhe ndërgjegjes. Është mbyllur brenda formës, tek neni pa frymë dhe interpretimi pa thelb. Ajo është bërë mekanike; llogarit, por nuk dëgjon; procedon, por nuk kupton.
Çekiçi i drejtësisë nuk bie më për të rikthyer rendin kushtetues dhe moral, por për të ruajtur status quo-në, për të mbrojtur një ose disa pushtete, që kanë mësuar të strehohen në labirintin e interpretimit pa “puls” kushtetues. Në vend që të jetë mjet për të rivendosur ekuilibrin shoqëror, drejtësia është shndërruar në armaturë e pushtetit të saj.
E kur kjo panoramë thjesht vëzhgohet nga larg, pa marrë ose atribuar askush/askujt përgjegjësitë që i takojnë, lind konteksti i errët institucional, ku shpresa shuhet dhe mund frikën nga ndëshkimi, e arma shkrepet nga dëshpërimi. Arma që “guxoi” të ngrihet nuk u drejtua vetëm kundër një njeriu, por kundër simbolit moral të shtetit, kundër vetë drejtësisë.
Për të mos lejuar që kjo tragjedi të mbetet vetëm një titull lajmi, apo të degradojë në diskutime skanerash, kangjellash, policësh apo masash ndëshkuese, duhet një përgjigje që prek thelbin, jo sipërfaqen. Në vend të fashimit të plagës, duhet kurimi i saj. Në vend të drejtësisë formale, statistikore, burrokratike, duhet drejtësi reale, e pavarur, e përgjegjshme dhe me autoritet moral.
Ndryshe, nëse vazhdojmë të varrosim të vërtetat nën burokraci dhe të mbyllim sytë përballë përgjegjësive, një ditë do të zgjohemi në një shtet ku zëri i drejtësisë nuk do të dëgjohet më, sepse vetë drejtësia do ta ketë “vrarë” veten e saj.