Ballina Aktualitet Studioi për histori, por nuk u diplomua/ Psikologët shpjegojnë: Shkaqe sociale, por...

Studioi për histori, por nuk u diplomua/ Psikologët shpjegojnë: Shkaqe sociale, por edhe të mentalitetit

45
0

Elvis Shkambi, 30 vjeç, hyri dje i armatosur në sallën e gjyqit në Gjykatën e Apelit dhe zbrazi armën ndaj gjyqtarit Astrit Kalaja duke e lënë të vdekur, si dhe plagosi dy të tjerë.

Ngjarja tronditëse mori edhe jehonë ndërkombëtare, ndërsa vetë Shkambi, u shfaq sypatrembur pas vrasjes.

Ai ndër të tjera tha se nuk ishte ai vrasësi, por shteti, se ‘ai ishte djalë i shkolluar me 16 vite’. Ai rezulton i regjistruar në programin “Histori” në vitet 2013-2014, por nuk është diplomuar.

Psikologia Arjana Muça tregon se proceset gjyqësore që zgjasin për vite me radhë shkaktojnë një ngarkesë të madhe emocionale te individët që trokasin në dyert e gjykatave për të marrë zgjidhje dhe drejtësi.

“Zgjatja e gjyqeve, ngarkesa e madhe emocionale i sjell këtyre individëve atë që ne i themi varfëri emocionale, lodhje, stres pa fund, humbje durimi, konflikte herë pas here midis individëve. Të gjitha këto ngarkesa bëjnë që individi, në momentin që dëgjon vendimin, i duket i padrejtë — një vendim i padrejtë për të — dhe në një farë mënyre një fyerje e dinjitetit për kohën që ka harxhuar. Kjo pastaj sjell edhe atë hakmarrjen personale, duke menduar që është duke vendosur drejtësi, sepse gjyqtari në këtë rast nuk shihet si një njeri i sistemit të drejtësisë, por sikur të jetë një lidhje personale me rastin konkret kur jepet vendimi”, thotë Muça.

Veprimet e 30-vjeçarit, që nga marrja e armës me vete e deri te sjellja e tij pas krimit — ku në pamjet e filmuara shfaqet gjakftohtë duke u treguar ai vetë efektivëve të policisë se është personi që ka kryer vrasjen — sipas analizës së psikologes, flasin për një veprim të planifikuar.

“Po mos të harrojmë që kemi individë që vijnë nga komunitete të ndryshme dhe kultura të ndryshme të trojeve shqiptare. Kemi disa komunitete ku hakmarrja shihet si diçka e zakonshme, ku vendoset nga individi drejtësia. Është një individ i cili e ka planifikuar të gjithë veprimin që ka kryer, duke e menduar në detaje, duke marrë parasysh edhe nëse vendimi nuk do të ishte ai që është pretenduar që duhet të merrnin”, shprehet ajo.

Ngjarja e rëndë po ashtu ngre shqetësime të mëdha mbi kushtet e sigurisë brenda ambienteve të gjykatave, aty ku siguria për gjyqtarë, avokatë, punonjës e qytetarë duhet të jetë maksimale.