Ballina Aktualitet 85 prokurorë shkresë Olsian Çelës, kërkojnë mbledhje urgjente pas vrasjes së Kalasë:...

85 prokurorë shkresë Olsian Çelës, kërkojnë mbledhje urgjente pas vrasjes së Kalasë: Siguria e magjistratëve në rrezik

27
0

85 prokurorë e magjistratë i janë drejtuar me një shkresë Prokurorisë së Përgjithshme ku i kërkojnë që të zhvillohet Mbledhja e Përgjithshme e Prokurorëve të Republikës së Shqipërisë, me qëllim që të diskutohet siguria dhe mbrojtja për magjistratët. Kërkesa drejtuar kryeprokurorit të përgjithshëm vjen pras vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja në krye të detyrës, ndërsa ka nisur edhe një debat se kush duhet ta garantojë sigurinë në gjykata e prokurori.

Prokurorët thonë se vrasja e gjyqtarit Kalaja ka nxjerr në pah boshllëqe serioze në sistemin e sigurisë, duke theksuar se kjo kërkon reflektim dhe reagim të menjëhershëm institucional.

“Kjo kërkesë vjen si pasojë e ngjarjes tragjike të humbjes së jetës së një magjistrati (gjyqtari) gjatë ushtrimit të detyrës, e cila ka tronditur të gjithë trupën e drejtësisë dhe ka nxjerrë në pah boshllëqe serioze në sistemin e sigurisë, brenda dhe jashtë institucioneve të drejtësisë. Kjo situatë kërkon një reflektim të menjëhershëm institucional dhe një vendimmarrje kolektive, në mënyrë që magjistratët të mos jenë më të ekspozuar ndaj riskut fizik apo institucional në kryerjen e funksioneve të tyre kushtetuese”, thuhet në kërkesën e prokurorëve.

Prokurorët thonë se duhet të mblidhen me qëllim koordinimin e një përgjigjeje të unifikuar ndaj rreziqeve që prekin sigurinë e magjistratëve dhe integritetin e sistemit të drejtësisë.

“Ngjarja tragjike e vrasjes së një magjistrati gjyqtar në sallën e gjyqit, në krye të detyrës, përbën një rast të jashtëzakonshëm që tejkalon kufijtë e çështjeve të zakonshme të administrimit të drejtësisë. Në këtë rrethanë, Prokurori i Përgjithshëm dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë kanë jo vetëm të drejtën, por edhe detyrimin moral dhe institucional për të reaguar përmes thirrjes së Mbledhjes së Përgjithshme, me qëllim koordinimin e një përgjigjeje të unifikuar ndaj rreziqeve që prekin sigurinë e magjistratëve dhe integritetin e sistemit të drejtësisë”, thuhet në kërkesë.

Qëllimi i mbledhjes, sipas prokurorëve është shqyrtimi i gjendjes aktuale të sigurisë në ambientet e prokurorive dhe i garancive për mbrojtjen e jetës, integritetit dhe pavarësisë funksionale të magjistratëve.

Prokurorët ngrenë disa pika të cilat propozojnë që të shtyrtohen në mbledhje:

-Sigurinë fizike në ambientet e prokurorive (kontrollin e hyrjeve, pajisjet e sigurisë, praninë e policisë gjyqësore dhe të policisë së shtetit);

-Kushtet e transportit dhe lëvizjes së prokurorëve, si dhe nevojën për kompensim apo mbështetje institucionale për transportin dhe akomodimin;

-Rishikimin e standardeve të sigurisë në raport me praktikat e Bashkimit Evropian dhe udhëzimet e CEPEJ dhe Komisionit Evropian për Efikasitetin e Drejtësisë;

– Marrjen e masave konkrete për garantimin e kushteve minimale të sigurisë, konfidencialitetit dhe dinjitetit në ushtrimin e detyrës.

Po ashtu, prokurorët thonë se në mbledhje të trajtohet edhe çështja e gjuhës së urrejtjes ndaj magjistratëve, prokurorëve, e manifestuar herë pas here nga përfaqësues të politikës, mediat dhe portalet online. “Kjo dukuri cenon autoritetin institucional dhe pavarësinë funksionale të trupës së magjistratëve, duke krijuar një klimë presioni dhe pasigurie në ushtrimin e detyrës”, thuhet në kërkesë.

Pas vrasjes së gjyqtarit Kalaja, nesër do të zhvillohet edhe Mbledhja e Gjyqtarëve të Shqipërisë, ku pritet të diskutohet për sigurinë në institucionet e drejtësisë.