Ish-drejtori i FBI-së, James Comey, po paraqitet sot në gjykatën federale në Aleksandri, Virxhinia, për herë të parë qe nga ngritja e aktakuzës muajin e kaluar, raporton KosovaPress.
Sipas BBC, Departamenti i Drejtësisë akuzoi Comey në shtator me një akuzë për deklarata të rreme dhe një tjetër për pengim të drejtësisë.
Të dyja akuzat lidhen me deklaratat që Comey dha para Komitetit të Senatit për Gjyqësorin në vitin 2020, kur u pyet për mënyrën se si kishte trajtuar hetimin e Departamentit të Drejtësisë në vitin 2016 mbi email-at e Hillary Clinton dhe për një hetim mbi ndërhyrjen pro-Trump në zgjedhje nga Rusia.
Comey ka mbajtur qëndrimin e tij për pafajësi dhe tha “le të shkojmë në gjyq” në një deklaratë me video pas aktakuzës.
Në prag të aktakuzës, presidenti i SHBA-së Donald Trump kishte bërë thirrje publikisht prokurores së përgjithshme Pam Bondi, që të ndiqte penalisht kundërshtarët e tij politikë, përfshirë Comey.