Kampion në fushë dhe në financa. Rekordmen në gola, por edhe në llogarinë bankare.
Cristiano Ronaldo hyn në histori si futbollisti i parë “miliarder”. Sipas “Bloomberg”, lideri amerikan i informacionit financiar, pasuria e sulmuesit portugez është rreth 1.2 miliard euro.
Një shifër që kolegët e tij as që mund t’i afrohen dhe e akumulauar në më shumë se dy dekada paraqitje sportive dhe mbi të gjitha një talenti të vërtetë edhe në marketing.
Vetëm nga rinovimi i fundit i kontratës me Al Nassr, Cristiano Ronaldo do arkëtojë 400 milion dollarë.
Nuk duhet harruar që në karrierë ka luajtur mbi të tjera kontrata të majme me Manchester United, Real Madrid apo Juventus.
Po ashtu, “CR7” është një “brand” si një minierë ari. Kompanitë më të mëdha sportive, të modës dhe jo vetëm kanë si ikonë publicitare portugezin, duke I siguruar atij qindra milionë euro.
I njëjti diskutim edhe në rrjetet sociale, ku gjithashtu ai është një “kampion” i vërtetë i të ardhurave që gjeneron vetëm nga postimet.
Por Cristiano Ronaldo nuk do të ndalet me kaq.
Në mbrëmjen e ndarjes së çmimeve “Globe Prestige”, ku u nderuan personalitetet portugezë të të gjitha fushave, ylli i futbollit konfirmoi se do të vijojë karrierën e tij.
“E di që më kanë mbetur edhe pak vite për të luajtur dhe dua ta shfrytëzojë në mënyrën më të mirë këtë kohë. Filozofia ime është që të jetoj ditë pas dite, pa projekte afatgjatë. Shijoj çdo ditë dhe çdo stërvitje”, ka thënë Cristiano Ronaldo, që vijon të vendosë rekorde si brënda ashtu edhe jashtë fushës së lojës.