Prokurorja Doloreza Musabelliu është një nga katër kandidatët në garë për kreun e SPAK. Musabelliu është një nga magjistratet e diplomuara që për shkak të rezultateve të larta u emërua menjëherë pranë Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Ajo është nga Poliçani i Skraparit.
Musabelliu është një nga prokuroret e pakta që flet frëngjisht, dhe ka qenë shpesh e përzgjedhur nga autoritetet franceze për hetimet dypalëshe në fushën e trafikut. Ajo ka qenë një nga prokurorët e parë që kreu një hetim kundër Emiliano Shullazit dhe kërkoi dënimin për trafik droge dhe armëmbajtje.
Prokurorja ka hetuar për korrupsion ish-gjyqtarin Ibrahim Hoxha, italianin Guido Guidi, piloti që ngeci në Ishëm, ndërsa pati në dorë dosjen Toyota Yaris me miliona euro të sekuestruara në Durrës dhe masakrën e Lushnjes në vitin 2017. Ka qenë gjithashtu drejtuese e njësisë Task Forcë pranë Prokurorisë së Krimeve të Rënda dhe e ka lënë këtë detyrë në vitin 2017.
Musabelliu ka kryer Shkollën e Magjistraturës në vitet 2002-2005 dhe është emëruar më pas prokurore në Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Musabelliu, sipas të penduarit të drejtësisë Artan Tafani është prokurorja që është ndjekur nga grupi i Laert Haxhiut për ta eleminuar lidhur me masakrën e Lushnjes ndaj Orges Bilbilit dhe Laert Haxhisë.